Një mbiemër i rëndësishëm, i njohur, publik, artistik apo me pushtet mbart në vetvete shpesh edhe anët e panjohura. Hera herës familje të njohura apo të famshme mund të kenë raporte të vështira, të ndërlikuara mes tyre, ashtu si jo pak herë prindër të famshëm, personalitete publikë në jetën artistike, politike, por jo vetëm, dinë të jenë udhëzues profesionalë dhe shpirtërorë të fëmijëve të tyre që zgjedhin të ndjekin gjithashtu rrugën e personave publikë, të ndikuar ose jo nga prindërit e tyre.
Për të folur mbi peshën e trashëgimisë së mbiemrit publik, ndikimin e prindërve të njohur në jetën dhe zgjedhjet e tyre, dhe raportin mes tyre, në emisionin “Historia ime” ka qenë një panel mjaft interesant me të ftuar nga fusha të ndryshme. Jul Deda, Elton Deda dhe Ardit Roshi kanë treguar gjatë për raportin me prindërit e tyre të famshëm dhe sa ka ndikuar ky fakt në jetën dhe profesionin e tyre.
Në momentin kur moderatorja Mirela Milori i pyeti nëse ata kanë pasur përfitime nga të qenurit fëmijë e të famshmëve, biseda u kthye mjaft komike. Jul Deda i kërkon publikisht Mirelës lekët e emsionit.
Mirela Milori: Çfarë ke fituar nga mbiemri?
Ardit Roshi: Tendera jo, as lekë, as projekt, përveç një audicioni.
Jul Deda: Në këto ambientet tona, nga mbiemri thellë thellë nuk përfiton shumë gjëra sepse thonë që e ka marrë i biri, tashi ta marrë dhe i ati prap, nuk është aq kollaj.
Elton Deda: Kam përshtypjen që do jetë për stërniprat tanë.
Ardit Roshi: Çfarë këndvështrimi kanë këta të humorit!
Mirela Milori: (Qesh) Po ma bëni emisionin tani që duhet ta mbyllim, ta kishim filluar që këtu sepse tani nuk di si ta mbyll.
Ardit Roshi: Po ti ta kishe nisur emisionin me përfitimet si pyetje.
Jul Deda: Tashi këto lekët e emisionit kur do i marrim?
Ardit Roshi: Me paketën e tretë të ndihmës.
Mirela Milori: Prit një herë, për këtë flasim më vonë, mbas emisionit t’ju sqaroj unë se kur do i merrni dhe si do i merrni.