Zyrtarët në San Francisco kanë ndaluar duhanpirjen brenda ndërtesave me apartamente private duke përmendur shqetësimet për pasojat te duhanpirësit pasivë.
Por tumosja e një cigareje me marijuanë, brenda është ende e mundur. Këshilltarët miratuan urdhrin duke e bërë San Francisco-n qytetin më të madh në SHBA, që ndalon pirjen e duhanit brenda apartamenteve.
Fillimisht ishte propozuar të ndaloheshin banorët të tymosnin marijuanë në apartamentet e tyre por këshilltarët votuan për të përjashtuar marijuanën, pasi aktivistët pro kanabisit thanë se ligji do ti privonte ata nga i vetmi vend i lejuar për të tymosur. Sipas ligjit të shtetit, është e ndaluar tymosja e kanabisit në ambiente publike. Pirja e cigareve dhe kanabisit, janë aktualisht të ndaluara në hapësirat publike brenda ndërtesave me apartamente e këtu përfshihen edhe shkallët apo korridoret.
Shumë pronarë apartamentesh po ashtu u kërkojnë qiraxhinjve që të nënshkruajnë kontrata që shprehimisht i ndalojnë ata të pinë duhan brenda apartamenteve. Por urdhri i ri, sidoqoftë, shkon akoma më tej duke ndaluar pirjen e duhanit brenda apartamenteve, përfshirë rezidencat private. San Francisco tani i bashkohet 63 qyteteve dhe konteve në Kaliforni që kanë një masë të tillë. Kritikët sidoqoftë argumentojnë se vendimi shkel të drejtat e njerëzve brenda shtëpive të tyre. Mbështetësit thonë në anën tjetër se është e rëndësishme të mbrohet shëndeti i atyre që nuk pinë duhan. Pirja e duhanit në SHBA, sipas statistikave i merr jetën më shumë se 480 mijë personave në vit, përfshirë mbi 41 mijë vdekje të shkaktuara nga duhanpirja pasive.