Vrasja e pronarit të hotelit në Greqi nga një shqiptar për 200 euro vijon që të jetë në qendër të medieve në vendin fqinj.
Lefteris Gavrilis, avokati i familjes së viktimës, hotelierit Nikos Halaris ka ngritur dyshime mbi mënyrën e vrasjes dhe motivin.
Ai është shprehur se është shumë e vështirë që një person në pak kohë, pa bashkëpunëtor të digjte 69-vjeçarin vetëm me një shishe vodka.
Gjithashtu edhe për motivin, ai nuk është i bindur, bazuar te mediat greke.
Në momentin që u largua nga hoteli shqiptari për të fshehur gjurmët mori me vete cdo gjë që kishte prekur, leckën, një kovë dhe shufrën prej hekuri që goditi 69-vjeçarin.
I riu mbylli të gjitha dyert e hotelit dhe çelësat i hodhi në det.
“Nikos kishte një ndërtesë tjetër pak metra larg hotelit që po e ndërtonte dhe aty afër punonte edhe autori, ata takoheshin cdo ditë.
Tani çfarë e çoi këtë njeri të shkonte dhe t’i merrte jetën, askush nuk mund ta dijë dhe nuk mund të jetë kjo sasi e vogël”, referuar 200 eurove, tha ai.
Më tej, ai vazhdon duke thënë se “Kur mora përsipër çështjen, unë thirra ekzaminuesin mjekësor dhe kur e pyeta nëse kishte shenja të goditjes me thikë, apo diçka tjetër, ai më tha se trupi i viktimës është djegur shumë, është djegur aq thellë në trup sa nuk mund të zbulohen goditjet.
E vetmja gjë që gjeti dhe mund të thoshte ishte se ai kishte një goditje në kafkë, domethënë kishte një hapje në kafkë.
Kufoma u gjet brenda recepsionit, që do të thotë se e tërhoqi zvarrë për 7-8 metra në mënyrë që ta sillte në këtë pikë” tha Gavrilis.
Pas krimit, autori u përpoq të mbulonte gjurmët e tij dhe të digjte trupin e viktimës dhe pretendon se e bëri atë duke e lyer me vodka dhe pije të tjera alkoolike.
“Ju nuk keni nevojë të jeni avokat për të kuptuar që alkooli nuk mund të shkaktojë djegien e përshkruar.
Me fjalë të tjera, duke hedhur një shishe vodka nuk mund të kishte kaq djegie” thotë avokati i familjes së viktimës, duke shtuar “ai donte të zhdukte të gjitha gjurmët e krimit, ai mori atë që kishte prekur, një leckë, një kovë, etj.
Ajo që më befasoi ishte se autori kishte mbyllur recepsionin, kishte mbyllur të gjitha dyert dhe kishte hedhur çelësat në det” deklaroi avokati.