Policia e Riminit ka sekuestruar 275 kg drogë të tipit marijuanë e hashash e kanë vënë në pranga 3 trafikantë shqiptarë.
Hetimet e këtij operacioni u nisën në verë të vitit 2020 pas arrestimit të dy vëllezërve shqiptarë me 1.5 kg marijuanë e u mbyllën me ekzekutimin e operacionit në natën e 3 dhjetorit duke u gdhirë data 4 dhjetor 2020.
Falë punës investigative të repartit operativ të antidrogës së Riminit, u sinjalizua mbërritja e një ngarkese droge në territorin e provincës së Riminit.
Operacioni u finalizua me kapjen e një furgoni në zonën Spadarolo të Rinimit. Në dyshemenë e modifikuar të automjetit u gjendën 160 kg hashash e 115 kg marijuanë. Pakot e drogës kishin të stampuar figura filmash vizatimorë e filma serialë televizivë.
Identifikimi i furgonit erdhi pas mbajtes nën përgjim të disa anëtarëve shqiptarë të këtij grupi kriminal që pasditen e datës 3 dhjetor kishin kryer lëvizje të dyshimta me automjetet e tyre.
Në një rrugë dytësore të zonës industriale të Sparadarolës në Rimini autoritetet italiane ndaluan furgonin me drogë e në vendngjarje u arrestuan 3 trafikantë shqiptarë.
Dy prej tyre të moshës 26 e 35 vjec janë banues në Rimini, shqiptari i tretë 35 vjec, pa leje qëndrimi në Itali, u kap pas ndjekje prej disa minutash nga policia italiane. Ndërsa shoferi i furgonit mundi të arratisej e është shpallur në kërkim.
Tre trafikantët shqiptarë ndodhen në arrest me burg e janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane.