Presidenti Ilir Meta ishte sot i ftuar në emisionin “Përballë” si një ish-student Dhjetori, ëndrra e të cilit ishte të bëhej pedagog, por që më pas u bë kryetari më i ri i shtetit i periudhës së tranzicionit.
Meta tregoi se çfarë mund të kishte bërë ndryshe në këto 30 vite, foli për një “restart” që i duhet vendit. një rizgjim i demokracisë, apo epokë e re siç e quajti. Presidneti u shpreh se ishte i bidur që kjo epokë do vinte pas 25 prillit.
PJESE NGA INTERVISTA
Gazetari (Lutfi Dervishi): Përshëndetje! Mirë se erdhët në përballë! 30 vite më parë studentët në Tiranë nisën protestat kundër regjimit të fundit në Evropë me thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”!
30 vite më pas vendi është ende në dyert e Bashkimit Evropian, ndërsa një ndër çdo tre shqiptarë gjatë këtyre tre dekadave ka vendosur që të bëhet evropian duke shkuar për të punuar dhe jetuar në Italia, Gjermani, Britaninë e Madhe, Greqi, e gjetkë. Ëndrrës evropiane më pas iu bashkangjit edhe ëndrra amerikane.
Rregullisht rreth një milion shqiptarë aplikojnë çdo vit me dëshirën për të punuar dhe jetuar në tokën e premtuar. Në fillim të viteve ’90-të të ikurit quheshin emigrantë, ndërsa sot quhen azilantë.
Çfarë e bën trishtues këtë përvjetor është fakti se vendet fqinje në rajon, që në vitet ’90-të ishin në luftë, sot ose janë anëtarë të Bashkimit Europian, ose po negociojnë kapitujt e fundit përpara se të bëhen anëtarë me të drejta të plota.
Shqiptarët kanë ikur rregullisht gjatë këtyre tridhjetë viteve. Një pjesë e vogël janë kthyer. Vendi ka ndryshuar shumë, por ajo që ka ndryshuar pak, ose aspak, është elita politike.
Sonte në “Përballë” do të flasim me një ish-student të Dhjetorit, ëndrra e të cilit ishte të bëhej pedagog, por që më pas u bë kryetari më i ri i shtetit i periudhës së tranzicionit.
Në këtë përkujtimi të kësaj ngjarjeje – ngjarjes më të madhe të historisë së këtij tranzicioni tridhjetëvjeçar, – do të flasim jo vetëm për sfidat ku ndodhet vendi gjatë pandemisë dhe katër muaj përpara zgjedhjeve, por edhe për raportet e shtetit të dytë të shqiptarëve në rajon dhe për çështje të tjera të ditës.
I ftuar në “Përballë” sonte është Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Zoti President, kënaqësi që jeni sonte në Televizionin Publik Shqiptar!
Presidenti Meta: Faleminderit edhe nga ana ju që më zgjodhët mua për sonte, në këtë ditë shumë të rëndësishme për të gjithë popullin tonë!
Kjo ditë për ju është ditë feste, reflektimi apo ditë trishtimi për gjendjen ku jemi?
Presidenti Meta: Ju i përmblodhët të gjitha bashkë. Është ditë feste, sepse tridhjetë vite më parë ka ndodhur një zgjim historik vetëm falë atij guximi të studentëve të Dhjetorit që vrau frikën dhe për herë të parë bëri që në Shqipëri pas kaq dekadash të shpërthejnë nga gjokset rinore thirrjet “Liri-Demokraci!” dhe e “Duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”, njëherazi e pamenduar më parë për gjenerata të tëra.
Sigurisht që është edhe trishtim po të kemi parasysh një bilanc tridhjetëvjeçar, që është zhgënjyes në shumë aspekte.
Besoj se këtë s’e kemi pritur të gjithë tridhjetë vite më parë kur nisi ajo epokë e re aq frymëzuese dhe me aq shumë të papritura.
Pra pas tridhjetë vitesh, siç e përmendët edhe ju, nuk jemi aty ku duhet të ishim.
Çfarë shkoi keq?
Presidenti Meta: Në raport me integrimin evropian, me zhvillimin e vendit, me shtetin ligjor, me pozicionin e Shqipërisë në rajon. Çfarë shkoi keq?
Ka qenë një proces ulje-ngritjesh, por ajo që na ka dëmtuar më shumë është braktisja nga shumë prej politikanëve e atyre idealeve të Dhjetorit për demokracinë, për lirinë, për të drejtat e njeriut.
Sidomos mosbërja e atyre sakrificave që duhet të bëjë çdo politikan për një çështje të madhe: për të ardhmen evropiane të vendit.
Dhe sakrifikimi herë pas herë i këtyre prioriteteve të mëdha për çështje të egoizimit dhe interesave afatshkurtra personale apo partiake na ka sjellë këtu ku jemi, sepse po të shikojmë kurbën e tridhjetë viteve Shqipëria ka pasur momente të shkëlqyera.
Pastaj kemi pasur kriza si 1996 që na ka ulur shumë poshtë. Pastaj e kemi rimarrë përsëri veten pas 1997-s, pas Kushtetutës, etj., pastaj prapë kemi momente kur kemi qenë shumë përpara Serbisë, Malit të Zi në proceset e integrimit evropian.
Pavarësisht nga vonesat që i kemi krijuar vetes, Marrëveshjen e Asociim-Stabilizimit e kemi firmosur në 2006-n para tyre.
Tani ata, Mali i Zi ka tetë vitë që i ka hapur të gjithë kapitujt. Ne ende e kemi të mbyllur perspektivën e çeljes së negociatave për këtë vit për interesa përsëri të ngushta këtu.
Serbia ka gjashtë vite që ka çelur negociatat. Ne jemi populli më proevropian, sepse nuk kemi pasur dhe s’kemi alternativë tjetër.
Nuk kemi plan B…
Presidenti Meta: S’kemi plan B dhe nuk kemi pse të kemi. Sepse kishim planin koreanoverior që e provuam dyzet vjet dhe e dimë se ç’ndodhi. Kështu që nuk ka asnjë arsye për të qenë krenarë sot.
Pyetje: Sa përgjegjës e gjeni ju veten, personalisht, si pjesë e elitës politike nga vitet ’90-të, për faktin që vendi është mund të themi në vagonat e fundit përpara stacionit të BE-së?
Presidenti Meta: Që të jem shumë i sinqertë me ju: Në tridhjetë vite kam shumë arsye për të qenë reflektues ndaj shumë gjërave që vetë mund t’i kisha bërë më mirë, sepse në fund të fundit ne erdhëm në jetën politike nga Lëvizja Studentore. Unë u bëra edhe deputet që kur isha student. Pra nuk erdhëm nga një shkollë politike apo një traditë e caktuar.
Ajo që jam sot krenar për veten time si një ish-student i Dhjetorit jam për këto gjëra: Që në tridhjetë vjet Shqipëria në asnjë sekondë nuk është vonuar në procesin e integrimit evropian për shkak të Ilir Metës!
Në të gjitha pozicionet që Ilir Meta ka pasur, edhe kur ka qenë në opozitë, edhe kur ka qenë në qeveri, Ilir Meta ka dhënë gjithmonë zgjidhje politike për të zhbllokuar çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë, duke dhënë dorëheqjen edhe nga kryeministër, edhe nga zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, duke krijuar edhe një forcë politike për të ndihmuar rotacionin dhe zhbllokimin e integrimit evropian në Shqipëri, duke bërë edhe një koalicion me Sali Berishën si në 2009-n që ndihmoi për liberalizimin e vizave, duke bërë edhe një koalicion të sforcuar edhe me Edi Ramën para 2013-s, vetëm me një kusht:
Që të zhbllokoheshin tre ligjet që bllokonin procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Pra në aspektin e integrimit evropian nuk mendoj se ka një politikan që do të ishte më i qetë se sa unë në raport me vendimet, por kjo nuk mjafton.
Pyetje: Mirë, por në qoftë se do të vemë emrat se kush gaboi, ju nuk keni gabuar. Kush gaboi?
Presidenti Meta: Ju më pyetët mua. Gabojnë të gjithë ata, të cilët për pushtetin personal e kanë vonuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Përse jemi vonuar kaq shumë ne? Si na arriti Serbia dhe Mali i Zi që s’ishin asgjëkundi në procesin e Asociim-Stabilizimit në 2001-n apo jo? Dhe jo vetëm na arritën, por edhe na kaluan. Shikoni ku janë ata dhe ku jemi ne! Pse? Sepse vazhdimisht politikanë të caktuar kanë emra. Sot ne kemi një kryeministër, i cili po bllokon procesin e integrimit evropian në mënyrë të qëllimshme, i cili shkeli Marrëveshjen e 5 Qershorit në mënyrë të qëllimshme, i cili kërkon të vërë dorë mbi zgjedhjet e ardhshme në mënyrë të qëllimshme, edhe pse e di që kjo ka pasoja fatale për t’i shtyrë negociatat jo deri në prill 2025, por edhe më tej, sepse nuk është ky prioriteti i tij, për fat të keq! Mua më vjen shumë keq, sepse ai përfaqëson një forcë, e cila në të kaluarën ka pasur kontributet e veta në demokratizimin e vendit, në shumë elemente pozitive. Këtu jemi apo s’jemi këtu?
Mirë, nëse shikojmë të gjitha vendet e rajonit…
Presidenti Meta: Më falni, kemi edhe një problem tjetër në tridhjetë vjet! Dhe tani na duhet një “Restart”, sepse kemi thënë “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”!
Sepse kemi qenë pa përvojë, dhe kemi pritur edhe të tjerët që të na e bëjnë, dhe kemi menduar se të tjerët do ta duan Shqipërinë edhe më shumë se sa ne. Kjo është një histori që duhet mbyllur, Duhet ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Evropa.
Po në qoftë se s’e bëjmë, do dalim prapë sot në rrugë të protestojmë?
Presidenti Meta: Për mua dy janë elementet themelore në tridhjetë vjet që i nxjerr unë si një konkluzion, se ka shumë arsye, dy janë elementet thelbësore: E para, zgjedhjet të lira e të ndershme dhe shenjtëria e votës. Kjo është themelore, vendimtare. Dhe vetë kriza që ka sot Shqipëria në çdo aspekt është kriza e legjitimitetit.
Dhe e dyta, është Kushtetuta.
Ne jemi këtu ku jemi, sepse ne nuk treguam respekt për Kushtetutën. Sepse ne Kushtetutën që u bë me aq sakrifica në 1998-n, në një proces aq gjithëpërfshirës, të përgjegjshëm, pikërisht që të mos ktheheshim më te 1997-ta, ne atë e goditëm herë pa here, natën, ditën, me ç’patëm mundësi për interesa të momentit dhe deformuam të gjithë mekanizmat e kontrollit dhe të balancës në një shoqëri demokratike. Goditëm shtetin, prandaj jemi në këtë situatë sot: Në një shtet jofunksional.
Këta janë dy elementet thelbësore për mua për të ardhmen e Shqipërisë. Këta do të sigurojnë çdo gjë: Që nga çështja e drejtësisë, e shëndetësisë, e ekonomisë, etj. Këta janë vendimtare, sepse kanë të bëjnë me sistemin e llogaridhënies dhe të sigurisë.
Ju përmendetët dy çështjet kryesore që duhet një “restart”, një rifillim nga e para.
Presidenti Meta: Vlerësim im pas tridhjetë vitesh.
Zgjedhjet dhe Kushtetuta. Në qoftë se dikush do t’ju thotë: Më falni, por çfarë keni bërë tridhjetë që pas tridhjetë vitesh do merreni me zgjedhjet?
Presidenti Meta: Bëmë eksperimente. Bëmë luftë politike dhe harruam që koha rrjedh dhe që të rinjtë nuk durojnë dot gjatë.
Ndaj tani jemi në atë momentin e fundit kur “restart-i” apo një rizgjim i demokracisë është edhe një apel për të ndaluar shpopullimin, për të shpëtuar edhe të ardhmen e popullit e të kombit, sepse jemi një vend që rrezikohemi, sepse jemi një vend i vogël, një vend në një rajon ku fryjnë gjithmonë shumë erëra, dhe në qoftë se nuk do të qëndrojmë në këto momente të bashkuar, nuk do t’i mbajmë të rinjtë këtu, nuk do t’u japim shpresë, perspektivë, jemi të kërcënuar në shumë aspekte edhe në planin kombëtar në të ardhmen.
Ju vetë keni deputet 21 vjeç, ministër ndoshta 25-26, kryeministër 30 vjeç, kryetar i Parlamentit 40 vjeç, President 48 vjeç dhe nuk ka besoj njeri, që mund të japë një përgjigje më të mirë për pyetjen:
Çfarë ka Shqipëria që është i vetmi vend në kontinentin evropian që nuk bën dot zgjedhje të pranuara? Dhe flas për disa zgjedhje.
Presidenti Meta: Është mungesa e vullnetit për të pranuar demokracinë dhe votën e lirë. Është një diçka që do të ndryshojë dhe do të ndryshojë se sçbën më 25 prill me hir e me pahir.
Në qoftë se ne flasim se 25 prilli do t’i ndryshojë gjërat, cilat janë garancitë që këto zgjedhje do të jenë të pakontestuar dhe rezultati do të pranohet?
Presidenti Meta: Unë këtë garanci nuk mund t’jua jap dot, por ajo që unë ju jap si garanci është se unë do të bëj çdo gjë që populli shqiptar ta kuptojë se është një mision patriotik marrja pjesë në zgjedhjet e 25 prillit.
Këtu ka arritur fundi i legjitimitetit të çdo gjëje. Këtu nuk ekziston më sistemi llogaridhënës në një shtet.
Do të ishte më mirë të thonim se jemi një shtet njëpartiak se në të kaluarën vërtet kishte një parti, por kishte disa rregulla, merreshin disa vendime kështu gjoja si kolegjiale. Këtu kulmi i arbitraritetit është jashtë çdo fantazie. Kështu që tani qytetarët tanë duhet të kuptojnë se pa pjesëmarrje nuk ka askush të drejtë të kërkojë llogari nesër. Dhe askush nuk mund të justifikohet me atë përgjumjen e tij, me atë pafuqishmërinë e tij përballë një sistemi tiranik, që është krijuar qëllimisht për t’i bërë njerëzit të ndihen të dobët dhe për t’i bërë ata të ndihen gjithmonë të varur e të nënshtruar. Unë besoj se ka arritur fundin e fundit, nuk ka më tej.
Ju përmendët sistem tiranik, e përdorët si metaforë apo në kuptimin…?
Presidenti Meta: Tiranik, po! Frikësues. Sistem frikësues që bazohet mbi frikën ndaj pushtetit dhe jo mbi besimin e njerëzve për atë që pushteti bën për ta dhe që u jep atyre në jetën e përditshme.
Një bashkëstudent i Dhjetorit dhe kolegu juaj për shumë vite, Pandeli Majko, në momentin që jeni zgjedhur President i Republikës, ka thënë se Ilir Meta do të jetë presidenti më i mirë që do të ketë Shqipëria.
Në kompetencat kushtetuese është që roli juaj unifikues dhe pozicioni neutral, pozicion që nuk e keni më dhe kë fajësoni për këtë dalje tuajën nga le të themi “kostumi presidencial”?
Presidenti Meta: Unë nuk kam dalë nga “kostumi presidencial” për arsye se duhet të kemi një koncept më të plotë për rolin e Presidentit. Ai koncept për të cilin flisni ju është për një vend që ka një parlament normal, që ka një opozitë normale, që ka Gjykatë Kushtetuese, që ka Gjykatë të Lartë, që ka drejtësi.
Por këto kanë qenë në momentin që u zgjodhët President.
Presidenti Meta: Po, po, kanë qenë të gjitha! Po, po, patjetër që kanë qenë! Në 2017-n të gjitha kanë qenë patjetër! Dosjet e Shijakut, dosjet e Dibrës kanë qenë, të gjitha aty kanë qenë!
Ky është një proces tashmë shumë i qartë dhe unë kam bërë çdo gjë që Shqipëria kurrë të mos jetë në këtë situatë.
Kam bërë çdo gjë që Reforma në Drejtësi të zbatohej nën frymën e konsensusit, siç u miratua kur isha unë Kryetar i Kuvendit. Kam bërë çdo gjë që Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm të mos zgjidhej me 69 vota, që ndodhi ajo që ndodhi dhe që kemi këtë sistem, që sot nuk funksionon më. Kjo është e vërteta. Kam bërë çdo gjë që Shqipëria të ketë Gjykatë Kushtetuese në kohë. Katër vjet përpjekje! Janë të dokumentuara me frymë bashkëpunimi me Parlamentin, por ata kanë bërë çdo gjë që të kapin gjithçka.
Kështu që më thoni se çfarë mund të bëja unë më shumë?! Ju doni President, që të shikojë punët e veta?
Që të mbyllë gojën? Që të shkojë të bëjë pazare me qeverinë për të bërë qoka për vete apo për miqtë e tij apo ku di unë, ndërkohë që vendi është në këtë situatë kaq të rëndë dhe dramatike?
Unë këtë gjë nuk mund t’ia lejoj vetes. Kur i ka munguar bashkëpunimi Kryeministrit apo qeverisë me Presidentin? Më thoni një rast? Kur?
Kur i kërkova për zgjedhjet vendore që të bënim zgjedhje gjithëpërfshirëse? Dhe i prisja këtu e nuk më erdhën? Që donin t’i bënin zgjedhjet siç i bënë?
Me 100% të pushtetit lokal si në kohën e këshillave popullore? Që edhe atëherë kishte seriozitet se kishte më shumë përgjegjshmëri.
Demokracia është një tango që kërcehet dyshe: Është pushteti, por është edhe opozita në sens.
Presidenti Meta: Unë kam folur për problemet e opozitës, por nuk mund të vazhdoj prapë.
Opozita nuk e qeveris vendin.
Presidenti Meta: Nuk mund të vazhdoj prapë të fajësoj opozitën. Unë e fajësoj opozitën pse e ka lënë fushën bosh. Sepse është provokuar, se në demokraci nuk lihet asnjë milimetër territor.
Në demokraci do të luftosh çdo ditë, do të përpiqesh çdo ditë. Nuk ka në demokraci të presësh nga tjetri që të japë ato që duhet t’i kërkosh vetë dhe që duhet t’i fitosh vetë.
Por ama nuk i themi dot opozitës se e shkeli opozita Marrëveshjen e 5 Qershorit, Përkundrazi. Nuk i themi dot opozitës se opozita nuk dëgjon Parlamentin Evropian apo Komisionin e Venecias? Çfarë po e pengon opozita këtë qeveri? Ka dy vjet që ka 100% të pushtetit apo jo? Parlamentin,…
Zoti President, kjo është akuza, që e ka lënë krahun e lirë, se këto që thoni janë krejt të vërteta, por opozita…
Presidenti Meta: Nuk është thjesht se e ka lënë të lirë, por problemi kryesor është përpjekja për të uzurpuar të gjitha pushtetet në mënyrë jo kushtetuese, në mënyrë të pamoralshme, në mënyrë shantazhuese, në mënyrë të pandershme.
Dhe kjo në fund fare është kosto e qytetarëve, sepse nëse do ta kishte marrë 100% pushtetin, do ta kishte përdorur për qytetarët, për njerëzit, për popullin, për shëndetësinë, për pandeminë, për të gjitha këto, “OK”, hajde, prapë situata do të kishte qenë më e pranushme, por ne shohim se qëllimi ka qenë keqpërdorimi i pushtetit!
Meqë jemi në Ditën e festës së Rinisë, 30-vjetori i kujtimit të Lëvizjes Studentore, nëse shohim vendet e rajonit në këto tridhjetë vite, kudo ka pasur qarkullim të elitave politike, me përjashtim të Shqipërisë.
Përse është kjo karakteristikë e tranzicionit shqiptar që elita politike nuk ndryshon?
Presidenti Meta: Këtu nuk është se s’ka pasur ndonjë ndryshim, sepse po të shohim kemi pasur udhëheqësa siç ka qenë Nano apo Berisha, të cilët sot nuk janë më, në kuptimin e institucioneve.
Dhe kemi menduar dikur se ndoshta kur këta të mos jenë, do të jetë pak më mirë Shqipëria, por për fat të keq shohim se, edhe pas kaq kohësh, vendi nuk ka lidership, ose nuk ka lidershipin e duhur, përgjegjshmërinë e duhur.
Kuptohet se këtu është vrarë demokracia përfaqësuese dhe parlamentare. Këtë e vranë ndryshimet kushtetuese të 2008-s, sepse ato shkatërruan parlamentarizmin, pra kaluam nga një sistem ku partitë ishin të detyruara dhe të dilnin me deputetë që votoheshin nga populli, në këto listat e mbyllura, shohim pastaj pasoja në dymbëdhjetë vite se si deputetët ngrenë kartonin kundër Kushtetutës, për gjithë këto PPP, për gjëra që nuk i kemi mendur kurrë më përpara që mund të ndodhin.
Dhe unë prandaj them se duhet të kalojmë tani në një epokë tjetër: Në atë të referendumit. Në atë që u bllokua që nga 1998-ta e deri tani, sepse populli e vendosi që po të donte, shprehej edhe me referendum vetë, por ata bënë një ligj si të mos bëhej referendumi.
Vetëm ajo mund ta sjellë dhe do ta sjellë situatën aty ku duhet në mënyrë që politika t’i nënshtrohet qytetarëve, jo qytetarët t’i nënshtrohen politikës.
Kjo është beteja më e madhe dhe unë e kam shpallur këtë betejë. Kjo është e vetmja rrugë që shpëton Shqipërinë. Nuk e shpëton as Ilir Meta, as Lulzim Basha, as Lutfi Dervishi, as njeri, fare, fare! As sot, as nesër!
Do ta shpëtojë marrja përsipër e përgjegjësive të vetë qytetarëve, sepse nuk do të guxonte kush të miratonte këto ligje të çmendura PPP në rast se do të hidhej ligji në referendum të popullit, sepse çdo qeveri do të rrëzohej në rast se ai ligj do të rrëzohej nga referendumi.
Kështu që ky është momenti dhe kjo është rruga që shpëton Shqipërinë. Të mos presin në Shqipëri udhëheqës shpëtimtarë, sepse kemi krijuar përralla të tilla dhe zhgënjimi është i frikshëm! Duhet t’u japim fuqi qytetarëve!
Ata vetë duhet të ndërgjegjësohen se ata e kanë në dorë të ardhmen e tyre, të fëmijëve të tyre dhe duhet të marrin përgjegjësitë e tyre! Nuk mund të presin më nga askush, përfshirë edhe nga Ilir Meta. Ilir Meta është i gatshëm, siç ka qenë gjithmonë, t’i nënshtrohet vullnetit të popullit në çdo moment, në çdo rast, për gjithçka.
Sa pajtoheni ju, nuk e di nëse do të perifrazojë një thënie të Faik Konicës që: “Shqipërinë e bëri Zoti, e shpëtoi rastësi, dhe e varrosën politikanët”?
Presidenti Meta: Mendoj se kush fiton me poshtërsi, nuk qeveris dot me drejtësi.
Shqipëria ka nevojë për të nxjerr në pah vlerat e saj më të mira, që i nxjerr gjithmonë në momentet më të vështira, për fat të keq.
Sepse në momente të lira ne e lemë kohën të rrjedhi, të humbas edhe dobësohemi si faktor. Ndërkohë të mos harrojmë që jemi në një periudhë gjithmonë rivalitetesh dhe kuptohet që jo të gjithë kanë qenë të lumtur nga një shpërthim pozitiv i Shqipërisë, i shqiptarëve, i Kosovës në planin ndërkombëtarë.
Të tjerët punuan më me mençuri dhe për të na përçarë, dhe për të na defaktorizuar, dhe për të na futur në konflikte të brendshme të cilat na shterojnë energjitë në një mënyrë të paanshme, dhe të pajustifikueshme.
Tani është koha për të parë interesin tonë kombëtar për të fshirë një herë e mirë këtë farë të përçarjes dhe të papërgjegjshmërisë, të shkeljes së interesave kombëtare dhe të përpjekjes për ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga evropiane.