Lidhur me tubimin që do të organizohet nga shoqëria civile sot më 16:30 pranë Ministrisë së Brendshme, ku do të protestohet ndaj aktit të paprecedentë të policisë së shtetit që qëlloi 25-vjeçarin Klodian Rasha mëngjesin e ditës së djeshme, është marrë mendimi i qytetarëve të ndryshëm.
Qytetarët kanë theksuar se ky akt është një krim dhe i pabesueshëm, dhe një pjesë e tyre thonë se do të bëhen pjesë e protestës bashkë me fëmijët e tyre. Një i afërm i familjes së 25-vjeçarit shprehet se ai është vrarë për mllefe personale, ku i bën thirrje deputetëve që të mendojnë si për fëmijën e tyre, duke bërë punën siç duhet.
“Asnjë person që ka qenë në familje xhandar i zogut mos merrte pjesë në polici. Ky grup policësh ka origjinë të tillë çfarëdo që të kishte bërë ky djalë ata nuk duhet ta vrisnin. Atë që bëri Sali Berisha në Fier me vrasjen e atyre fierakëve në shtëpi, e bën ky shtet dhe nuk ka faj familja por atë patrullë policie ta vari tek sheshi Skënderbej.
Djali 25-vjeçar nuk ka marrë përpara njerëz duke i vrarë, ai është vrarë për mllefe personale. Janë familje e nderuar të ardhur nga Dardha e Dibrës, fëmija mund të dalë jashtë dore por që ta vrasësh…. Mendoni parlamentarë që keni edhe ju fëmijët tuaj, bëhuni njerëz dhe jo të poshtër”, tha një i njohur i familjes.
Një qytetare tha se faji është i shtetit, ndërsa lidhur me protestën u shpreh do të jetë pjesë bashkë më dy fëmijët.
“Ky është shteti jonë, faji është i dyanshëm, unë kam edhe dy fëmijë të indinjuar dhe do marrim pjesë në protestë”-tha qytetarja.
“Shumë i gabuar veprimi i atij policit, ka marrë jetë njeriu. Do jem pjesëmarrës një protestë”.,– tha një qytetar.
Një tjetër e cilëson si një krim dhe të pabesueshëm këtë akt të tillë. “Shumë keq nuk duhet një hap i tillë. Të vrasësh djalin 25-vjeç ky është një krim! Dje e mora vesh dhe më është dukur e pabesueshme“, tha qytetarja.