Kryeministri Edi Rama bëri me dije sot se ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka dhënë dorëheqjen.
Ai u shpreh se dorëheqja e tij erdhi si pasojë e vrasjes së Klodian Rashës nga efektivi i policisë para dy ditësh.
“Efektivi i policisë që shkrehu armën kundër Klodianit është vetëm një veçim. Menjëherë pas ngjarjes, Lleshja më vuri në dispozicion dorëheqjen e tij, jo vetëm për të larë gojën.
I kam thënë “pres të kthehem” se kam dashur ta shoh në sy dhe të jem bashkë me të. U takuam sot dhe jam shumë krenar për atë që është Sandër Lleshaj.
Në këtë vend nuk janë të gjithë njësoj. Ai s’ka asnjë lidhje me aktin e rëndë të policit,as direkt dhe as indirekt”, tha Rama.
Rama doli sot publikisht për të shprehur qëndrimin e tij për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë.
25-vjeçari u vra nga polici pasi shkeli orën policore dhe nuk pranoi të ndalonte pas thirrjes së tij për të ndaluar.