Sot 30 vite nga themelimi i PD, Basha: Krenar për të rinjtë që nuk rrinë duarkryq

Në 30-vjetorin e themelimit të PD-së, kryetari Lulzim Basha iu drejtua demokratëve dhe shqiptarëve me një mesazh. Pjesën më të madhe të fjalimit të tij e zuri ngjarja e ditëve të fundit, vrasja e të riut Klodian Rasha dhe protestat që vijuan.

Lideri demokrat shprehu krenarinë për rininë, që sipas tij nuk rri duarkryq dhe nuk ka frikë nga dhuna partiake.
E ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se bëri mish për top Sandër Lleshajn për të shpëtuar veten, Basha tha se ka ardhur koha për ndryshim.
“Kjo është një ditë e shënuar, sot shënojmë 30 vjetorin e lindjes së partisë tonë dhe lindjes së ndryshimit që i preu PD-ja.

Zanafilla e saj është lindja e demokracisë në vend. PD vazhdon që të jetë mburoja e lirisë dhe demokracisë në këtë vend.

Ne bëmë të mundur ndryshime rrënjësore, sollëm ndryshim dhe hapëm vende pune. PD-ja punon për Kosovën e lirë.

Por është e vështirë që të festojmë së bashku si do duhet, pasi Shqipëria është në një situatë dramatike, 7 vjet dështime.

Qeveria e Ramës e çoi ekonominë drejt humnerës. Kosto e jetës sa vjen e rritet këtë e shohim të gjithë kudo.

Spitalet po shkojnë drejt kolapsit. Mjekët nuk po dorëzohen edhe pse qeveria nuk po i ndihmon dhe nuk shton numrin e personelit, nuk rrit numrin e shtretërve dhe nuk siguron barnat. Mjekët po luftojnë si heronj.

Ata e kanë të qartë, që kjo qeveri e paaftë e ka humbur kontrollin ndaj pandemisë. Qeveria nuk ka asnjë plan por vetëm improvizon.

Nuk siguron ndihmë për familjet në nevojë dhe sipërmarrësit, pasi paratë i ka për klientët e saj.

Të gjithë pamë shembull tragjik të mungesës së ndjeshmërisë kur u vra Klodian Rasha. Fjalët e babait të Klodianit më prekën thellë.

Lotët lënduan të gjithë shqiptarët, por ajo që i revoltoi më shumë shqiptarët ishte propaganda. Heshti për tre ditë, fillimisht shpresoi se do të kalonte lumin. Ai është bashkëpërgjegjës, ishte i zënë në galeri artesh në SHBA.

Vetëm tre ditë më pas kur e pa që qytetarët u hodhën në revoltë u detyrua ta bëjë ministrin e Brendshëm mish për top për të shpëtuar veten e tij.

Për këtë ngjarje faji nuk është i policëve të thjeshtë, është rezultat i frymës së arrogancës që vjen nga shefi i qeverisë.

Peshku qelbet nga koka. Është rezultat i punësimeve të njerëzve jo profesionistë me të kaluar të errët kriminale.

Shpreh krenarinë e madhe për rininë, si para 30 vitesh që nuk durojnë dot rrenën e propagandës dhe nuk qëndrojnë dot symbyllur dhe duarkryq dhe nuk kanë frikë nga dhuna e policisë me urdhra partiakë. Ka ardhur koha për ndryshim. Rama e ka mbushur kupën prek kohësh.

Ne PD-ja, jemi gati dhe do të bëjmë gjithçka që ti japim kësaj të keqe, ne do të luftojmë për të shpëtuar ekonominë për më shumë vende pune, drejtësi dhe për të mposhtur krimin, do të luftojmë për ju dhe qytetarët që duan ndryshim.

Bashkë do ta largojmë Ramën. Basha do i japim fund tranzicionit për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa dhe do të rindërtojmë vendin.

Në 25 prill ju nuk do të ndryshoni vetëm qeverinë, por Shqipërinë. Për shkak të situatës e kemi të pamundur të jemi bashkë fizikisht, por shpreh mirënjohjen për cdo demokrat që kurrë nuk u dorëzuat, mposhtët dhe shantazhuat.

Borxhi ndaj jush është i pashlyeshëm. Sot ju them nga zemra faleminderit. Pas këtij dimrit të gjatë do të vijë pranvera, do i japim fund keqqeverisjes” tha ai.

Kreu i qeverisë Edi Rama tha sot se pas protestave fshihen presidenti dhe opozita, të cilët sipas tij janë jo vetëm nxitësit,po edhe orkestruesit e dhunës që poshtëron kujtimin e Klodianit.

Loading...