Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka mbështetur plotësisht deklaratën e përbashkët të disa organizatave, shkencëtarëve, ambielntalistëve për shpalljen e gjithë luginës së lumit Vjosa si Park Kombëtar.
Meta i bën sërish thirrje qeverisë të dëgjojë zërin e komunitetit, shoqërisë civile, aktivistëv etë mjedisit që të tërhiqet nga çdo projekt që parashikon ndërtimi të HEC-eve mbi lumin Vjosa.
Ai shton se plani i qeverisë për të shpallur vetëm pjesën e sipërme si ”Peizash të Mbrojtur”, lë pa asnjë status rrjedhën e mesme dhe të poshtme.
STATUSI NGA ILIR META
Mbështes plotësisht deklaratën e përbashkët të “EcoAlbania”, “Riverwatch” dhe “EuroNatur”, si dhe të grupeve të shkencëtarëve e ambientalisëve, vendas e të huaj, për shpalljen Park Kombëtar të të gjithë luginës së lumit Vjosa.
Ndaj të njëjtin shqetësim, se përkundër deklaratave publike të Kryeministrit dhe anëtarëve të qeverisë, situata në realitet po shkon në drejtim të kundërt, pasi vetëm për pjesën e sipërme të Vjosës është planifikuar shpallja e zonës si kategori “Peizazh i Mbrojtur”, ndërsa në rrjedhën e mesme dhe të poshtme nuk është parashikuar asnjë status mbrojtjeje.
Ky plan jo vetëm që përjashton pjesët më me vlerë të sistemit lumor, por gjithashtu do ta linte të pambrojtur zonën në të cilën parashikohen digat e Kalivaçit dhe Poçemit.
Përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë, për të dëgjuar zërin e komunitetit, të shoqërisë civile, aktivistëve të mjedisit, të botës akademike, universitare dhe personaliteteve shqiptare e të BE-së, për t’u tërhequr nga çdo projekt që parashikon ndërtim të HEC-eve mbi lumin Vjosa.
Duke e falënderuar sërish Presidenten në Detyrë të Kosovës, Vjosa Osmani për solidarizimin me këtë kauzë, shpreh vullnetin për të vijuar të gjithë së bashku përpjekjet tona për të mos lejuar, me mjete demokratike, çdo vendimmarrje politike në kundërshtim me interesin publik, që synon shkatërrimin e kësaj parajse natyrore dhe njerëzore, si lumi Vjosa.