I shpallur në kërkim ndërkombëtar, gjendet djali i çiftit shqiptar, Taulant Pasho. Mediat italiane shkruajnë se djali ndodhet në një burg në Zvicër. Ai ndodhet në qeli prej 16 tetorit të këtij viti për vjedhje dhe shkelje të tjera.
Ndërkohë që në Itali ai duhej të vuante një dënim për drogë. Pas përfundimit të dënimit në Zvicër ai do të ekstradohet në Itali për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit 3 vite e 11 muaj.
Taulanti është personi i fundit që ka takuar prindërit Shpëtim dhe Teuta Pasho 54 dhe 52 vjeç në 2 nëntor, ditë në të cilin ai ka dalë nga burg me masën arrest shtëpie. Prokurorët italianë mendojnë se dëshmia e djalit do të jetë kyçe për zhdukjen e prindërve, që më pas u gjetën të copëtuar në 4 valixhe. Ai ka postuar disa video në rrjetet sociale duke reklamuar jetën luksoze që bënte ,ndërkohë që prindërit ishin të zhdukur.
Hetuesit janë fokusuar edhe te konfliktet familjare që kanë patur bashkëshortët me fëmijët prej vitesh. Mediat italiane raportojnë se dy vajzat e çiftit u shoqëruan mbrëmjen e djeshme në komisariat së bashku me xhaxhain e tyre që jeton në Kastelfiorentino.
Daniela dhe Vitoria janë marrë në pyetje gjatë gjithë ditës së mërkurë. Sipas mediave italiane hetuesit janë të bindur se mes vëllait dhe motrave nuk ka pasur marrëdhënie të mira.
Pas vrasjes, çiftit shqiptar i mungonte një shumë prej 40 mijë eurosh. Kjo shumë parash ishte përfituar nga Shpëtimi si dëmshpërblim për një aksident që kishte pësuar në Shqipëri. Eshtrat e Shpëtimit dhe Teutës, të cilët u zhdukën në 2015, u gjetën javën e kaluar nga një fermer ndërsa po punonte në kopshtin e tij./lajmifundit