Gjykata e Vlorës la në fuqi masën e sigurimit të pezullimit nga puna dhe mosushtrimit të funksioneve publike të katër punonjësve të komisariatit të Himarës.
Relatorja Elona Mihali argumentoi se palët nuk kishin kundërshtime apo prentedime lidhur me zbatimin e masës së sigurisë.
Gjithashtu Mihali arsyetoi se gjykata kishte dyshime të arsyeshme se shtetasit si në nivel drejtues apo edhe punonjësit e policisë nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura në lidhjet me realizimin e kontrollit.
Ndërkohë janë konstatuar mangësi në dosjet e administruara nga Prokuroria.
Më parë, palët kanë pretenduar një masë sigurimi më të lehtë, pra rrëzimin e pezullimit nga detyra ose pezullimin nga detyra me afat.
Por Gjyqtarja Mihali argumentoi se për shkak të natyrës komplekse dhe dinamike të hetimit, pezullimi nga detyra do të jetë pa afat deri në përfundim të hetimit.
Ekzekutimi i masës së pezullimit të ushtrimit të funksioneve publike është kryer nga drejtoria e Standardeve, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.
Kjo seancë është e fundit sa i përket vlerësimit të masave të sigurisë dhënë më herët nga gjykata e Vlorës.