Kosovë – Kuvendi në seancë për transformimin e FSK-së, të premten

Pakoja e tre projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës: për Ministrinë e Mbrojtjes, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, do jetë në lexim të dytë në seancë plenare të Kuvendit këtë javë, të premten e 14 dhjetorit, nga ora 10:00, ku pritet votimi unanim i deputetëve të pranishëm si edhe në shqyrtimin e parë në 18 tetor.

“Të premten, më 14. 12. 2018, pas seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, për Projektligjet që ndërlidhen me transformimin e FSK-së, do të organizohet pritje shtetërore nga Institucionet e Republikës së Kosovës”, bëri të ditur sot Qeveria.

Në shqyrtimin e parë, gjatë debatit, vetëm grupi parlamentar i Listës Serbe u shpreh kundër transformimit të FSK-së në ushtri dhe lëshoi sallën e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

Në 13 shtator 2018, Qeveria e Kosovës, bazuar në të drejtën e saj kushtetuese, ka miratuar pakon e projektligjeve që rregullojnë rolin, funksionin dhe shërbimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Qeveria deklaroi se, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës përcakton kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës si forcë multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit në pajtim me mandatin e dhënë kushtetues dhe ligjor, në mbrojtje të integritetit territorial, të qytetarëve, të pronës dhe interesave të Republikës së Kosovës dhe e cila i nënshtrohet kontrollit civil demokratik.

Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit ndërtuar mbi bazën e parimit të ligjshmërisë, profesionalizmit, komandës, disiplinës, respektit, nderit, ruajtjes së informacionit, komunikimit, josdiskriminimit dhe mundësive të barabarta, paanshmërisë politike, transparencës dhe llogaridhënies.

Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes përcakton organizimin dhe kalimin e Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ministri të Mbrojtjes në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të mbikëqyrjes dhe kontrollit civil demokratik mbi Forcën e Sigurisë së Kosovës, me strukturën e saj organizative që siguron funksionalizimin e plotë dhe përmbushjen e përgjegjësive të saj.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008, Forca e Sigurisë së Kosovës është aktivizuar nga janari 2009, kur u deaktivizuan Trupat Mbrojtëse të Kosovës, të cilat lindën nga transformimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lujtën rolin e tyre shumë të rëndësishëm në nëntë vitet e pas luftës së përfunduar në qershorin 1999. /atsh

Loading...