“Sot nis një epokë e re për sistemin e drejtësisë në përgjithësi dhe sistemin e prokurorisë në veçanti”, tha sot Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, gjatë mbledhjes për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Me votat tona ne do vendosim se cilët do jenë përfaqësuesit tanë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Me votat tona ne do i japim jetë këtij këshilli. Sot krijohet më në fund institucioni i qeverisjes së prokurorisë”, tha ajo.
Po ashtu, kryeprokurorja theksoi se “sot i hapet rrugë krijimit të SPAK-ut dhe zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm me mandat”.
“Sot ne u tregojmë të gjithëve që ne e kemi seriozisht dhe se reformën në drejtësi nuk e kemi vetëm në letër, por po e jetësojmë atë. Sot ne jemi një hap më afër qytetarëve të këtij vendi, të cilët presin me padurim një drejtësi të re, të së ardhmes, një drejtësi që nuk shitet e nuk blihet”, tha Marku.
Sipas saj, “sot vendi është një hap më afër integrimit”./atsh