Kryetari i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Erion Braçe tha se zgjidhja për kërkesat e studentëve është gjetur dhe ajo duhet thjesht që të pranohet prej tyre.
Në një intervistë televizive, Braçe u shpreh se “zgjidhja është gati. Tani është momenti më i mirë i mundshëm për t’i dhënë një zgjidhje të fortë, përfundimtare të institucionalizuar për Universitetin Publik në Shqipëri”.
Braçe zbulon se prej vitesh Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur drejtuesit e universiteteve për abuzim me fondet, por Prokuroria ka heshtur.
“Por, për një Fakultet ku paratë nuk kanë munguar, këtu në zemër të Tiranës ku është bërë sistem ngrohje qendror dhe më pas ka dështuar sistemi i ngrohjes, ngrohen me cillëra ku pas cillërave ngrohen me kondicionerë. Po mirë, çfarë është kjo”, -u shpreh Braçe ndërsa argumentoi se në krye të bordeve që administrojnë universitetin janë militantët e PD-së dhe LSI-së.
Sipas tij, janë këta që mbajnë peng zgjidhjen e situatës e protestës sot.
“Pa asnjë lloj diskutimi ata që administrojnë qytetin dhe më lejoni t’ju them që ata që sot administrojnë universitetin janë militantë partie. Janë militantë të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe ata po e mbajnë peng zgjidhjen tani dhe ata mbajnë peng edhe universitetet. Në mënyrë të vazhdueshme i kam kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit kontroll të vijueshëm në Universitete. E ka bërë, i ka kallëzuar edhe në Prokurori. Nuk është vepruar përkundrejt tyre. Aq kemi mundësi ne. Kur ne mundohemi të që të kishte një rol më të fortë të qeverisë në administrimin e universiteteve, na u vu përballë muri i autonomisë universitare. E pranuam, tani çfarë na kërkojnë ne”, -tha ai.
Braçe bëri të ditur se Ministria e Arsimit ka urdhëruar një audit të brendshëm në universitete për t’i shkuar deri në fund historive të shkeljes së ligjit.
“Ministria e Arsimit ka urdhëruar një audit të brendshëm në universitete dhe natyrisht do ti shkojmë deri në fund çështjes së administrimit të universiteteve në përputhje apo në shkelje të ligjit deri tani”, -përfundoi Braçe./atsh