Ndryshime në kabinetin qeveritar kanë ndodhur ditën e sotme, ku Olta Xhaçka do të jetë ministrja e re e Punëve të Jashtme, ndërsa Niko Peleshi ministër i Mbrojtjes.
Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri i vendit, Edi Rama përmes një postimi në Twitter.Ai ka falenderuar Gent Cakajn për punën gjatë kryesimit të OSBE-së, ndërsa vendosi të rikthejë Peleshin në qeveri.
“Pas një periudhe intensive pune në kryesimin e OSBE si edhe punës së madhe me përkushtim e profesionalizëm të Gent Cakajt si ministër në detyrë, ky është momenti për t’ia kaluar bashkarisht stafetën Olta Xhaçkës që të kryejë detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme. Dua ta falenderoj me mirënjohje Gentin jo vetëm për dinjitetin në kryerjen e detyrës së derisotme, po edhe për gatishmërinë e plotë për të vijuar përpjekjen e përbashkët, duke u rikthyer në kabinetin e kryeministrit. Ndërkohë Niko Peleshi do të drejtojë ministrinë e mbrojtjes”, shkruan Rama.
Karriera politike e Niko Peleshit:
Niko Peleshi ka kryer studimet e larta për Inxhinieri Elektronike në Universitetin Politeknik të Tiranës me rezultate të shkëlqyera duke marrë titullin Inxhinier Elektronik. Në vitin 1989 ka përfunduar shkollën e mesme të përgjithshme “Raqi Qirinxhi” në Korçë me Medalje të Artë. Ai ka pasur një angazhim të gjatë në fushën e biznesit privat në qytetin e Korçës, si dhe në vitet (2001-2004) ka drejtuar me sukses Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Korçë.
Karriera politike e Peleshit fillon në Tetor të 2004-ës, kur emërohet Prefekt i Qarkut Korçë dhe e ushtron këtë funksion përreth 1 vit. Në vitin 2005, zgjidhet Kryetar i Partisë Socialiste të qytetit të Korçës. Në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007 zgjidhet Kryetar Bashkie i Korçës, për t’u rikonfirmuar edhe njëherë si Kryetar Bashkie në zgjedhjet lokale të 2011-ës. Prej vitit 2012 është anëtar i kryesisë së Partisë Socialiste.Prej Shtatorit të vitit 2013 Peleshi emërohet Zëvendëskryeministër, pozicion të cilin e mban deri në maj 2017. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ai zgjidhet deputet në qarkun e Korçës duke kryesuar listën e Partisë Socialiste.
Karriera politike e Olta Xhaçkës:
Olta Xhaçka ka përfunduar studimet e larta me titull nderi në Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, si dhe studimet pasuniversitare Master në Administrim Publik, pranë Clark University në Masaçusets të SHBA-së. Përpara angazhimit të saj politik, Xhaçka ka qenë pjesë aktive e shoqërisë civile, në fushën e të drejtave të njeriut dhe mirëqeverisjes, si dhe ka punuar lektore e shkencave politike në Universitetin e Neë York Tirana.
Prej vitit 2009, Xhaçka është pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, fillimisht si përfaqësuese e Qarkut të Korçës për dy legjislatura në Kuvendin e Shqipërisë dhe në qershor 2017 është zgjedhur përfaqësuese e Tiranës në Kuvendin e Shqipërisë. Si aktiviste e të drejtave të njeriut, kryesisht në fushën e barazisë gjinore dhe si kryetare e Forumit të Grave Socialiste, znj. Xhaçka ka drejtuar prej vitit 2014 Nënkomisionin Parlamentar për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore dhe Dhunës në Familje dhe ka qenë anëtare e Komisionit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë. Në mars 2017, Xhaçka emërohet ministre në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Ajo është anëtare e Kryesisë së Partisë Socialiste, Kryetare e Forumit të Gruas së Partisë Socialiste që prej vitit 2010.