Policët dhe zjarrfikësit në Gjermani u detyruan të ndërhyjnë për të larguar një mjellmë që duket se mbante zi dhe bllokonte shinat e një treni të shpejtësisë së lartë.
Mjellma ishte fotografuar ndërsa bllokonte linjën afër Fuldatalit, duke bërë që të paktën 20 trena të ndaleshin në vend, pasi një tjetër mjellmë ishte vrarë kur kishte fluturuar poshtë mbi shina.
Pas aksidentit, mjellma e dytë, ishte ulur mbi trase duke penguar trenat që të vijonin udhëtimin nga Kasseli në Gottingen. Sipas raporteve të mediave lokale, zjarrfikësit morën me vete pajisje të specializuara për të larguar mjellmën e ngordhur nga traseja dhe mjellmën tjetër nga shinat, duke e dërguar këtë të fundit në një lumë aty pranë, ku edhe u la e lirë.
Sipas policisë, 23 trena ishin vonuar me rreth 50 minuta si pasojë e incidentit që ndodhi më 23 dhjetor, por u zbulua vetëm pesë ditë më vonë. Edhe më herët, është vënë re që mjellmat mbajnë zi për partnerët, me zogjtë që qëndrojnë afër vendit ku ai ose ajo ka ngordhur.