Ndahet nga jeta këngëtarja e madhe e muzikës popullore

Këtë të martë është ndarë nga jeta në moshën 85 vjeçare këngëtarja e madhe e muzikës popullore Drita Papajani, e cila ka hyrë në interpretimet e këngës popullore që prej fillim të viteve 1960 si zbulim i të madhit shkodran Paulin Pali.

Në jetën e saj të gjatë artistike si pjesëtare e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, Papajani ia doli të vendoste emrin e saj krahas më të mëdhenjve interpretues të këngës sonë popullore si Luçije Miloti, Bik Ndoja, Fitnete Rexha, Hafsa Zyberi, Naile Hoxha, Xhevdet Hafizi, Bajram Spahiu, Pjetër Gjergji, Kel Sota, Emil Miloti, Despina Trimcev, Sadete Toska, Sanije Shaqiri (Pali), Hajrie Harapi, e të tjerë.
Regjistrimet muzikore të saj gjenden në fondin e artë të Radio-Tiranës dhe në Arkivi Filmit. Pas viteve 1990 mori pjesë në ringritjen e besimit fetar në Shqipëri, duke u bërë nga të parat që u aktivizua për hapjen e Kishës së Ungjillëzimit, si dhe e vendosi përsëri talentin e saj në shërbim të korit kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale.

Lajmi i hidhur për ndarje nga jeta të këngëtares Drita Papajani e ka bërë të ditur Vasil Sofokli Tole përmes një postimi në rrjete sociale, i cili thekson se e çmonte pa masë shpirtin artistik dhe qytetarinë e lartë të saj që rrezatonte.

Postimi i plotë i Vasil Sofokli Tole në Facebook:

“U nda nga jeta sot në orën 10.00 edhe një zonjë e madhe e këngës popullore shqiptare: Drita Papajani! Si bijë prifti, pas viteve 1990 mori pjesë aktive në ringritjen e besimit fetar në Shqipëri.

Znj. Drita ishte nga të parat që u aktivizua për hapjen e Kishës së Ungjillëzimit, si dhe e vendosi përsëri talentin e saj në shërbim të korit kishtar të Kishës Orthodhokse Autoqefale, të cilin e drejtoi fillimisht maestro Eno Koço, e më pas i ndjeri prof.

Milto Vako. E njihja nga afër artisten tonë dhe çmoja pa masë tek ajo shpirtin artistik dhe qytetarinë e lartë që rrezatonte.

I përjetshëm kujtimi i artistes së madhe Drita Papajani! P.s: Ceremonia e nderimit dhe përcjellja do të bëhet nesër në 12.00, në kishën e Ungjillëzimit, tek rruga e Kavajës, Tiranë”, shkruan Vasil Sofokli Tole i cili bën me dije lajmin.

Loading...