Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet në një seancë të jashtëzakonshme të hënën më 4 janar për të miratuar dekretet e presidentit Meta për shkarkimet dhe emërimet e ministrave të rinj.
Ka qenë kryeministri Edi Rama i cili ka shkruar një letër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, për mbledhjen e Kuvendit në seancë të jashtëzakonshme, kërkesë kjo është pranuar nga Ruçi. Ky i fundit ka vendosur që Kuvendi të mblidhet në orën 17:00, ku do të miratohen edhe ndryshimet e fundit në qeveri.
Kujtojmë se seanca e parë e vitit 2021 e Parlamentit ishte parashikuar të mbahej më 18 janar, por ndryshimet në qeveri kanë bërë që mbledhja e parë e Kuvendit për vitin 2021 të bëhet më 4 janar.
Në nenin 98 të Kushtetutës thuhet se dekretet e presidentit për shkarkim dhe emërim ministrash votohen nga Kuvendi brenda 10 ditëve.
Në 31 dhjetor kreu i shtetit firmosi kërkesën e kryeministrit Edi Rama për kalimin e Olta Xhaçkës nga Ministre e Mbrojtjes, në ministre për Europën dhe Punët e Jashtme dhe riktheu Niko Peleshin si drejtues të dikasterit të mbrojtjes.