Kryetarja e Partisë Lëvizja për Ndryshim, Jozefina Topalli deklaroi se grupi i saj politik synon të sjellë shpresën në Shqipëri.
Me anë të një postimi në “Facebook”, Topalli theksoi edhe një herë se ajo është kundër tre liderëve aktualë të politikës, të cilët i quan të korruptuar.
“Vendi ynë ka nevojë për liderë të pakorruptuar! Vendi ynë ka nevojë për vendime të forta kundër korrupsionit dhe varfërisë. Vendi ynë ka nevojë për një qeverisje të mirë. Levizja për Ndryshim synon zëvendësimin e qeverisjes së keqe me një qeverisje të pastër, pa korrupsion. Prandaj ajo është kundër tre kryetarëve të korruptuar! Korrupsioni çon në atë që quhet kapja e shtetit nga pak familje që janë të lidhura mirë me njëra-tjetrën. Kjo rrit papunësinë dhe varfërinë. Kjo ka ndodhur në vendin tonë dhe është shkaku kryesor që të rinjtë nuk gjejnë punë dhe për këtë arsye ikin nga vendi i tyre. Duke pasur parasysh këto sfida shumë shqiptarë të rinj dhe të kualifikuar vazhduan të drejtohen në emigracion, referon Banka Botërore. Banka vë në dukje se pandemia COVID-19 e ka goditur më tej tregun e punës. Është koha për ndryshim! Është imperative zëvendësimi i politikës së korruptuar të tre kryetarëve me politikën e shpresës!”