Presidenti i zgjedhur Joe Biden mbajti një fjalim pasditen e së mërkurës dhe i bëri thirrje Presidentit Donald Trump të dalë në televizionin kombëtar dhe të mbrojë Kushtetutën, të bëjë thirrje që njerëzit të largohen nga Kapitoli.
Duke folur nga qyteti Uilmington i shtetit Delauer, zoti Biden tha se demokracia amerikane ishte nën një sulm të paparë. “Kjo nuk është protestë, është kryengritje,” tha ai.
Ai e quajti ngjarjen e së mërkurës një moment të errët në historinë e vendit, një sulm ndaj Republikës dhe ndaj sundimit të ligjit.
Zoti Biden tha se skenat e kaosit në Kapitol nuk pasqyrojnë Amerikën e vërtetë, nuk pasqyrojnë “atë që ne jemi”. “Ajo që ne shikojmë është një numër i vogël ekstremistësh, të përkushtuar ndaj paligjshmërisë,” tha ai.
Zoti Biden duhet të fliste të mërkurën për ekonominë, por ai e ndryshoi temën e fjalimit për shkak të zhvillimeve në kryeqytetin amerikan.