Ndërtimi i Teatrit të ri, i cili mori edhe mbështetjen e Bashkimit Europian, ka acaruar ndjeshëm aktivistët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët kanë reaguar ashpër ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca.
Tri ditë më parë ata kanë zhvilluar një takim me ambasadorin, i cili është karakterizuar nga debatet e forta mes palëve. Një fakt i tillë pranohet edhe nga vetë aktivistët për Mbrojtjen e Teatrit, të cilët në deklaratën e lëshuar për mediet shprehen se “Ambasadori ishte mjaft mikpritës dhe takimi u karakterizua nga një debat i fortë e mjaft etik, por, megjithë përpjekjen e vazhdueshme për një qëndrim të përbashkët, të dy palët kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me problemin e Teatrit, por edhe të zhvillimeve politike në vend, që kanë frymëzuar çështjen e Teatrit”.
Ata shkojmë edhe më tej duke kërkuar distancimin e shqiptarëve nga qëndrimet e mbajtura nga përfaqësuesit e BE në vendin tone, duke i sulmuar: “Sado dashamirës ose jo të jenë ambasadorët e huaj në vend, është e qartë se ideja që zhvillimi i vendit vjen prej tyre është një mit i rrezikshëm, mbi të cilin nuk mund të mbështeten më shpresat e shqiptarëve”.
Komisioni Europian i dha fund ngërçit për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar kur sugjeroi hapjen e garës për projektin, propozim i cili u dëgjua menjëherë nga Parlamenti, që miratoi ndryshimet në ligj. Shefja e Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, i dërgoi një letër qeverisë shqiptare, në të cilën sqarohej se ligji i depozituar në Parlament nuk shkelte Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit./atsh