Papa Françesku reagon për sulmin në Kongres: Asgjë nuk fitohet nga dhuna

Papa Françesku të dielën u bëri thirrje amerikanëve të tregonin “ndjenjën e tyre të përgjegjësisë” dhe mbështetjen për vlerat demokratike, ndërsa shprehu pikëllim për sulmet e dhunshme ndaj Kongresit që ndodhën të mërkurën.

Në mesin e pesë viktimave nga trazirat, ishte edhe një oficer i policisë së Kongresit të SHBA-së, i cili vdiq nga plagët e marra gjatë përleshjeve me një turmë të mbështetësve të presidentit, Donald Trump, të cilët hyn brenda ndërtesës, ndërsa po mbahej seanca e certifikimit të fitores së presidentit të zgjedhur, Joe Biden.
“Unë i nxis autoritetet shtetërore dhe të gjithë popullsinë të tregojnë një ndjenjë të lartë përgjegjësie në mënyrë që të qetësojnë zemërimin, të promovojnë pajtimin kombëtar dhe të mbrojnë vlerat demokratike të rrënjosura në shoqërinë amerikane”, tha Papa, gjatë lutjeve të së dielës të transmetuar nga Vatikani.

Papa tha se po i dërgonte një “përshëndetje të dashur” popullit amerikan “të tronditur nga sulmi i fundit ndaj Kongresit” dhe tha se po lutej në kujtim të pesë viktimave në ato momente dramatike”.

“E ritheksoj që dhuna është gjithmonë vetëshkatërruese – asgjë nuk fitohet nga dhuna dhe nga ajo, humbet aq shumë”, përfundoi Papa.

Papa Françesku i bëri komentet e tij, derisa presidenti aktual amerikan, Donald Trump është duke u përballur me një përpjekje të mundshme të procesit të shkarkimit, derisa ai hyn në ditët e fundit të presidencës së tij, pasi humbi zgjedhjet presidenciale të nëntorit nga demokrati, Joe Biden.

Në draftin e akuzave që i kanë përgatitur ligjvënësit demokratë thuhet se Trump kreu një veprim kriminal duke “nxitur me dashje dhunën kundër Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.

Para se mbështetësit e tij të sulmonin Kongresin, Trump iu drejtua atyre duke u thënë se rezultati i zgjedhjeve ishte “një sulm i egër ndaj demokracisë sonë” dhe i nxiti ata të “ecnin deri në Kongres” për të treguar pakënaqësinë e tyre për rezultatin.

Loading...