Skandali tek ‘Shefqet Ndroqi’/ Ministria e Shëndetësisë shkarkon sanitaren që shtirej si infermiere

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur shkarkimin nga puna të sanitares pasi u përfshi në skandalin korruptiv në spitalin “Shefqet Ndroqi”, të njohur ndryshe si Covid 2, ku ndërroi jetën një 55-vjeçare, pavarësisht se vajza pagoi 8 milionë lekë për ta mirëmbajtur.

E bija ra pre e sanitares, e cila komunikonte vazhdimisht me të duke i treguar gjendjen e nënës dhe i kërkonte para për çdo shërbim që duhet të kryente së bashku me mjekët, infermierët dhe sanitarët e tjerë. Skandali u zbulua nga emisioni “Stop” dhe Ministria e Shëndetësisë i ka bërë kërkesë autoriteteve kompetente që të marrin menjëherë masa për hetimin e këtij rasti.
Reagimi i plotë: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dënon me forcë veprimin e paligjshëm dhe korruptiv, të sanitares me inicialet T.A., tē spitalit “Shefqet Ndroqi”, i bërë publik sot në emisionin investigativ “STOP”.

Ministria e Shëndetësisë i ka kërkuar drejtorisë së spitalit “Shefqet Ndroqi” shkarkimin e menjëhershëm nga detyra të sanitares me inicialet T.A.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon autoriteteve kompetente, të kryejnë sa më parë hetimin e këtij rasti, për ta çuar atë deri në fund.

Akti i izoluar i një punonjëseje të papërgjegjshme, nuk mundet kurrësesi të njollosë punën e jashtëzakonshme dhe sakrificën e mijëra mjekëve dhe infermierëve në të gjithë Shqipërinë, në këtë kohë të vështirë të pandemisë.

MSHMS falënderon emisionin investigativ “STOP” për denoncimin e rastit në fjalë dhe siguron qytetarët se nuk do të tolerojë asnjë rast abuzimi me të drejtën e tyre për të marrë shërbimin shëndetësor që u takon.

Loading...