Kryeministri Edi Rama e cilësoi të neveritshëm skandalin te spitali Covid-2 Shefqet Ndroqi, ku sanitarja Tire Alldërvishi zhvati një qytetare, duke i marrë 8 milionë lekë, se do t’i shpëtonte të ëmën nga koronavirusi, por që ajo ndërroi jetë.
I pyetur për skandalin në emisionin “Open”, Rama tha se nuk ka fjalë për këtë skandal kaq të pështirë, ndërsa iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të denoncojnë sa më shumë raste të tilla.
“Së pari, kjo është një neveri e gjallë dhe pështirosje që nuk kam fjalë ta shpjegoj, por nga ana tjetër, unë realisht jam ndjerë mirë në atë sekëlldinë e madhe për faktin që një personazh kaq i pështirë u demaskua dhe sot është pas hekurave.
Për këtë falënderoj dhe iu shpreh respektim tim gazetarëve, që nuk dhanë opinione kafeneje, por bënë një punë dhe i bënë një shërbim të madh publikut.
E para, një shëmbëlltyrë e tillë, që padiskutim nuk është e vetmja, se me siguri ka dhe të tjerë që i ngjajnë në sistemin tonë shëndetësor, nuk e baltos dot sistemin.
Dua t’iu them të gjithë qytetarëve se nëse nuk doni të dilni hapur, përdorni sa të mundni emisionet investigative.
Duhet të nxjerrim mbi sipërfaqe të gjitha këto tumore, që në organizmin e sistemit tonë shëndetësor krijojnë të tilla situata, që vendosin në kolaps marrëdhënien e njeriut me sistemin dhe shfrytëzojnë edhe panikun, edhe ankthin, e një familjari, por edhe një lloj mendjelehtësie, se si mund t’i besosh asaj e të japësh lekë, pa bërë minimumi verifikim.
Realisht është lajm i mirë, që mediat të ekspozojnë të tilla raste. Përjashto Zahon, që është 6 vjec, të gjithë të tjerët mbajnë përgjegjësi për sjelljen e tyre.
Nëse unë këtë e them, e them se unë jo që nuk kam asnjë tendencë të mbrojë apo justifikoj situatën në një rast të tillë, por unë dua që mundësisht të gjithë ata që shkelin ligjin, kapërcejnë kufirin e njerëzores, të shkojnë aty ku e kanë vendin.
Për mua është lajm i mirë, kur të tilla monstra dalin dhe përfundojnë pas hekurave, sepse pastrohet një ciban nga sistemi”, u shpreh Rama.