Në lidhje me marrëveshjen e qeverisë shqiptare me kompaninë Pfizer, për marrjen e vaksinës anti Covid, marrëveshje e cila është cilësuar sekret shtetëror, ka folur edhe Presidenti Ilir Meta.
Nga qyteti i Vlorës, i pari i shtetit i është përgjigjur pyetjeveë të gazetarëve, pak orë para se sot kjo marrëveshje të shkojë në parlament për t’u miratuar.
Presidenti Meta e vuri theksin tek transparenca, si një instrument që rrit besimin tek publiku për procesin e vaksinimit.
Sipas kreut të shtetit, edhe kur pi një pije si Coca-Cola, duhet ta dish kur është prodhuar apo kur skadon.
“Unë jam për transparencë totale se dhe kur pi një Coca-Cola duhet ta kesh kohën kur është prodhuar e kohën kur skadon. Kjo ndihmon për forcimin e besimit se dhe kjo luftë me pandeminë është çështje besimi.
Gjithë institucionet duhet të bëjnë gjithçka për të rritur këtë besim përmes transparencës dhe sigurisë maksimale që i duhet ofruar publikut”, tha kreu i shtetit.
Kujtojmë që marrëveshja me Pfizer që ratifikohet sot në Kuvend ka kushtet e konfidencialitetit dhe deputetët do të njihen me çdo detaj të saj, por ajo është cilësuar sekret shtetëror dhe ata nuk kanë të drejtë të nxjerrin asnjë informacion.