Shoqata Patriotike “Çamëria” denoncon në një postim në “Facebook” se “Në Medvegjë po ndodh një politikë e kontrolluar e spastrimit etnik të shqiptarëve”.
Në kuadër të “Javës Çame”, Shoqata çeli ditën e sotme në ambientet e Kalasë së Tiranës ekspozitën “Spatrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Preshëves” me foto nga këto dy treva shqiptare.
Njoftimi i plotë:
“Spatrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Preshëves”
Në Medvegjë po ndodh një politikë e kontrolluar e spastrimit etnik të shqiptarëve përmes pasivizimit të adresave. Shoqata Patriotike “Çamëria”, e cila këtë janar kremton 30-vjetorin e themelimit të saj, ka ngritur zërin për shqiptarët e Preshevës dhe ka kërkuar që historia e Çamërisë të mos përsëritet.
Në kuadër të “Javës Çame”, Shoqata çeli ditën e sotme në ambientet e Kalasë së Tiranës ekspozitën “Spatrimi etnik i shqiptarëve: Çamëria dhe Lugina e Preshëves” me foto nga këto dy treva shqiptare.
Fjalën e hapjes të ekspozitës e mbajti Kreu i Shoqatës Patriotike “Çamëria”, z. Hektor Sejko, i cili u shpreh se kjo ekspozitë flet më shumë se çdo orator”. “Drama e Çamërisë po përsëritet në Medvegjë. Ne nuk e lëshojmë Çamërinë dhe do ta mbrojmë Medvegjën. Janë tokat tona, shtëpitë tona”, u shpreh ai.
Për kreun e Fondacionit “Hasan Tahsin”, z. Alket Veliu “shqiptarët e Çamërisë janë vetë viktima të një sistemi genocidar dhe e dinë shumë mirë se çdo të thotë të të dëbojnë nga vendi yt”.
“Në shekullin e kaluar, shqiptarët u përballën me spastrim të dhunshem etnik në Çamëri dhe Sanxhak, ndërsa sot misioni shpopullues serb në Luginën e Preshevës vazhdon me mjete të tjera duke detyruar shqiptarët të largohen nga shtëpitë e veta”, theksoi ai.
Ekspozitën e përshëndeti edhe kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Shpëtim Idrizi. Ai kërkoi “ndërgjegjësimin për spastrimin etnik që po iu ndodh shqiptarëve të Luginës dhe apeloi pë të mos lejuar kthimin e saj në një Çamëri të dytë”.
“Medvegja sot ka vetëm 10% të shqiptarëve, kurse 90% e tyre janë dëbuar. Malësia e Bujanocit është shkretuar gati tërësisht. Sot atyre nuk iu lejohet kthimi dhe janë fshirë nga regjistrat civilë.
Ky presion i Serbisë ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një diskriminim i pashoq në Evropën e sotme. Për të mos lejuar spastrimin e Luginës së Preshevës duhet angazhim më i madh i spektrit politik në Shqipëri e në Kosovë. Këto troje strategjike janë të Kosovës, janë të Shqipërisë, jo të Serbisë”, përfundoi ai.
Ekspozita do të zgjasë deri në datën 24 janar dhe është e hapur për të gjithë vizitorët.