Mediat greke kanë publikuar foto të 45-vjeçarit shqiptar që u kap të premten gjatë natës në makinë me Alket Rizain në Lamia.
45-vjeçari shqiptar ishte shpallur në kërkim nga policia greke për disa ngjarje të rënda ku spikat atentati i tetorit 2017 në Glyfada ku mbeti i vdekur një biznesmen shqiptar dhe u plagosën dy të tjerë.
Zougla raporton se i shumë kërkuari shqiptar u paraqit sot për masë sigurie në gjykatë, por nuk bëri publik emrin e tij.
Mediat greke raportojnë se shqiptari i arrestuar në makinë me Alket Rizain kërkohej edhe për një gjobë vendosur ndaj një biznesmeni grek, ndërsa sëfundmi kishte planifikuar që të arratisej për në Londër.
Alket Rizai dhe 45-vjeçari u kapën nga policia greke në një makinë të blinduar të premten e shkuar. Rizai kishte marrë leje nga burgu për fundjavën, ndërsa janë të panjohura rrethanat e njohjes me shqiptarin tjetër dhe shkaku se përse ndodheshin bashkë në një makinë.
Kush është Alket Rizai
Alket Rizai është mjaft i famshëm në Greqi për arratisjet e tij nga burgu.
Në vitin 2006 dhe 2009, në bashkëpunim me të dënuar të tjerë grekë, arriti të arratisej nga burgu më i sigurt i Greqisë, ai i Koridhalosit, duke përdorur helikopter.
Më pas, tentoi arratisjen e tretë, duke marre peng 6 policë të burgut të Malandrinos. Ai është dënuar me 25 vjet burg për disa vepra penale.
Arratisja e parë e stilit hollivudian, u krye më 4 qershor të vitit 2006, e ideuar nga Nikos Paleokostas, vëllai i një krimineli me famë, Vasilis Paleokostas.