Shqiptari i vdekur në Spanjë kthehet në Tiranë pa zemër, nis hetimi për trafik organesh

Një hetim i pazakontë ka nisur nga prokuroria e Tiranës, për “shit-blerjen e paligjshme të organeve njerëzore”, pasi një 33-vjeçar shqiptar, ka mbërritur i vdekur nga Spanja ndërkohë që mjekët ligjorë kanë parë se i mungonte zemra.

Saimir Sula, për të cilin policia ka pasur informacione se ishte përdorues droge, ka ndërruar jetë në një spital të Barcelonës, ku ishte shtruar për shkak të një infeksioni në mushkëri.

Ora News mëson se Sula në vitin 2020 ka marrë ekzaminim mjekësor në Barcelonë por më pas ka ndërruar jetë në rrethana të paqarta.

Trupi i pajetë i 33-vjeçarit nuk është lejuar të shihet nga të afërmit në ambjentet e spitalit spanjoll, por anëtarët e familjes kanë vënë re në Shqipëri se djali i tyre Saimir Sula, kishte një të çarë në pjesën e zemrës.

Të afërmit kanë dyshuar se gjatë mjekimit në Barcelonë, të riut i është marrë zemra në rrethana dhe arsye të paqarta.
Nisur nga ky konstatim, familja Sula, ka pezulluar për disa ditë zhvillimin e ceremonisë së varrimit, duke depozituar një kallëzim penal në polici, për mungesën e zemrës së Saimir Sulës.

Në këto kushte është kërkuar ekzaminimi mjeko-ligjor i trupit të pajetë të 33-vjeçarit.

Ora News mëson se policia dhe prokuroria e Tiranë, në Tetor 2020, janë njohur me aktin e ekspertimit mjeko-ligjor, të realizuar nga specialistët e Institutit të Mjekësisë-Ligjore në Tiranë.

“Në trupin e kufomës Saimir Sula, në kqyrjen e jashtme përveç prerjeve autoptike dhe ndryshimeve pas vdekjes, nuk u vunë re dëmtime të shkaktuara nga dhuna.Nga kqyrja e brendshme e organeve dhe të dhënave mikroskopike nga ana jonë u konstatuan bronkopneumoni sero-deskuamative dhe hepatit koronik persistent. Autolizë e organeve dhe mungesë të organit jetësor, zemrës”-thuhet në raportin e mjekëve në Tiranë.

Nisur nga ky konstatim dhe kallëzimit të bërë nga vetë familjarët e viktimës, Saimir Sula, Prokuroria e Tiranës tashmë ka nisur një hetim për veprën penale “shitblerja e paligjshme e organeve”.

Në këtë hetim Prokuroria e Tiranës po kërkon ndihmën e autoriteteve spanjolle për të zbardhur arsyet e mungesës së zemrës në trupin e Saimir Sulës./ora news

Loading...