31-vjeçari Saimir Sula u soll pa zemër nga Barcelona në Tiranë, mbërrin në Spanjë letërporosia e prokurorisë shqiptare me 10 kërkesa

Mbërrin në Spanjë letërporosia e Prokurorisë së Përgjithshme Shqiptare drejtuar autoriteteve spanjolle në lidhje me Saimir Sulën, të cilit i hoqën zemrën në një spital në Spanjë.

Letërporosia e autoriteteve shqiptare është nisur më datën 1 shkurt por sot ka mbërritur në Spanjë, ku pritet që të fillojnë hetimet për 31 vjeçarin. Më pas letërporosia do t’i kalojë Prokurorisë së Përgjithshme të Spanjës për ekzekutim.

Në letërporosi prokuroria shqiptare ka 10 kërkesa për autoritetet spanjolle, mes të cilëve edhe të gjendet shkaku pse mungon zemra e shtetasit Saimir Sula. Saimir Sula ka ndërruar jetë në spitalin ‘Hospital Del Mar’ në Barcelonë Spanjë dhe ka ardhur në Tiranë pa zemër. Mungesa e zemrës u konstatua në Tiranë.
Në dosje thuhet se 31-vjeçari Saimir Sula jetonte në Spanjë me motrën e tij. Në maj 2020 Sula shkoi për test COVID-i dhe rezultoi negativ, ndërkaq i bënë ekzaminime të tjera. Saimir Sula së bashku me motrën e tij Majlindën jetonin në këtë qytet prej vitesh. Në dosje sqarohet se Saimiri vuante nga probleme mendore pasi kishte halucinacione dhe një mjeke psikiatre i shkonte një ditë po dhe një ditë jo në shtëpi.

Pasditen e 8 majit 2020 Saimiri kishte temperaturë dhe shkoi në spital. Atje i verifikua se nuk kishte COVID, pasi testi doli negativ, megjithatë qëndroi në spital. Në dosjen hetimore të siguruar nga Report Tv zbulohet se ai i ka shkruar motrës mesazhe të dhimbshme si “Hajde më merrni, po më marrin frymën, po vdes”.Të nesërmen kur motra shkoi për ta marrë nga spitali, i komunikuan se zemra e tij kishte ndaluar. Kjo ka bërë që Majlinda Sula të dyshonte, dhe urgjentisht ka kërkuar kartelën mjekësore.

Spitali i Barcelonës e ka regjistruar vdekjen e shqiptarit, Saimir Sula, si natyrale dhe mjekët shqiptarë e kanë konstatuar mungesën e zemrës këtu. Ka qenë insistimi i së motrës që ka zbuluar mungesën e zemrës pasi trupi i vëllait të saj ka mbërritur me avion nga Spanja.

Loading...