Autoritet e drejtësisë të Emirateve të Bashkuara Arabe, në Dubai, kanë vendosur të lirojnë nga burgu, Plaurent Dervishajn, personin e kërkuar nga Prokuroria e Posaçme SPAK, si i dyshuar në përfshirjen e vrasjes së Klodian Saliut, në 25 shkurt 2005 në Durrës.
Lajmi për lirimin e Plaurent Dervishaj në Dubai, është konfirmuar nga burime të “Ora News”, të cilat thanë se tashmë, i konsideruari si numri dy i “bandës së Durrësit”, është liruar nga qelia, për shkak të mbërritjes me vonesë të letërporosisë nga Shqipëria në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë në Dubai.
Për këtë çështje, SPAK ka ndjekur parimin e reciprocitetit me Dubain, për ekstradimin e Plarent Dervishjat, ku palët ishin në tratativa për të arritur një marëveshje për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Por për shkak të mbarimit të afatit 40 ditor të qëndrimit në burg, kohë kjo që nevojitej për të ardhur letërporosia nga Shqipëria dhe kur kërkesa e drejtësisë Shqiptare nuk ka shkuar sipas afatit, atëherë një gjykatë në Dubai, ka vendosur të lirojë Plaurent Dervishajn nga burgu.
Një burim pranë SPAK, tha se letërporosia nga ana e tyre është përpiluar dhe dërguar në kohë në Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme, si institucionet përgjegjëse për ekzekutimin e letërporosisë me qëllim ekstradimin nga Dubai në Tiranë.
Ende në këto momente nuk dihet se në cilën zyrë të dy institucioneve të mësipërme, ka ngecur letërporosia e SPAK-ut, e cila më pas ka shkuar me vonesë në adresë të autoriteteve të Drejtësisë në Dubai.
Pavarësisht kësaj situate, ku njëri prej personave kryesorë të akuzuar për vrasjen e Klodian Saliut, është liruar, SPAK, vijon hetimet në Tiranë, për dy ngjarjet e bujshme të ndodhura në muajin shkurt 2005, ku mbetën të vrarë Klodian Saliu në Durrës dhe Vajdin Lamaj në Tiranë.
Për këto dy ngjarje, në 15 janar 2021, u ekstradua nga Kosova në Tiranë, njëri nga anëtarët e këtij grupi, Indrit Taullai, ndërsa vijon të jetë në kërkim ndërkombëtar, Lulzim Berisha.
Momentalisht në burg për dy ngjarjet janë Emiljano Shullazi, Indrit Rusi, Viktor Ymeri dhe Indrit Taullai.
Mes personave të arrestuar është dhe Luftar Reçi, njeriu që fillimisht ka bashkëpunuar me Prokurorinë e Posaçme SPAK-un, duke treguar detaje për dy krimet.
Gjest i rrallë! 17-vjeçari gjen