Rama “shuplakë” të fortë dekanëve dhe rektorëve!

Kryeministri Edi Rama e ka shkarkuar një pjesë të përgjegjësisë për protestën e studentëve dhe kërkesat e tyre mbi rektorët dhe dekanët e universiteteve në vend me të cilët ka zhvilluar një takim urgjent mbrëmjen e sotme, ndërkohë që studentët kanë protestuar për 9 ditë me radhë për 8 kërkesa.

Ndonëse i qetë, kryeministri iu ka folur me tone të ashpra drejtuesve të universiteteve duke vënë madje në diskutim autonominë e institucioneve të arsimit të lartë publik.
Ai tha se drejtuesit e universiteteve duhet të marrin vetë një pjesë të përgjegjësisë, duke u ndalur dhe në kërkesat konkrete të studentëve.

“Të çohen në protestë studentët e universitetit dhe të kërkojnë publikimin e buxheteve dhe shpenzimeve online është fundi. Dhe kjo të rReshtohet tek kërkesat që i bëhen qeverisë, ndërkohë që kjo është jo ‘A’-ja, se “a”-ja mësohEt kur shkon në shkollë, por është e para gjë që i bëhet fëmijës kur vjen në jetë. Ja si janë buxhetet, ja si shpenzohen. Disa i kanë, por njerëzit nuk i dinë. Mos mendoni se kam ardhur të shkarkoj përgjegjësitë. Por një gjë dua t’ju them se në leximin tim, protesta e studentëve është një shuplakë për qeverinë, një grusht për opozitën, një shpresë për opinionin publik. Se çfarë është për ju, duhet ta gjeni vetë, s’më takon mua tua them”, deklaroi kryeministri.

Rama tha më tej se “hap pas hapi ju do të shikoni se kjo protestë në radhë të parë
lidhet me ju, në thelbin e vetë, kur them me ju nuk flas për personin por për universitetin”.
“Vijmë tek tarifat që sigurisht janë përgjegjësi e universiteteve për t’i propozuar dhe përgjegjësi e qeverisë për t’i miratuar. Si ka mundësi që sot studentët nuk e dinë se çfarë janë tarifat. Nuk e dinë se 75% të kostos së tyre e mbulon buxheti i shtetit dhe nga vijnë tarifat.
Jemi të gjithë të vetëdijshëm se ligji i ri për arsimin e lartë i ka dhënë një hapësirë të re autonomie universiteteve. Janë në të drejtën e tyre shumë studentë dhe shumë qytetarë që të mos e kuptojnë se është e pamundur për mua dhe qeverinë që t’i zgjidhin nga lart poshtë disa çështje kyçe, sepse universiteti ka autonominë. Por nëse ka ardhur dita që ju të fshiheni, kur duhet t’i dilni ju përballë studentëve për disa çështje që kanë të bëjnë me universitetin. Nëse ka ardhur dita që ju të shkelni syrin dhe të mbyllni dyert që studentët të dalin në rrugë dhe që trupat brenda të nxisin studentët dhe që t’ia lini rrugës fatin e studentëve dhe të mos merrni pjesë në marrjen e përgjegjësive në një situatë ku përgjegjësia është shumë e qartë atëherë më falni por duhet ta shikojmë autonominë universitare. Mbase ka qenë e parakohshme, mbase ka qenë e nxituar”, deklaroi kreu i qeverisë.

Loading...