Kryeministri Edi Rama foli për raportet me ish-kryeministrin e vendit, Fatos Nano, duke thënë se ka një marrëdhënie shumë të mirë me paraardhësin e tij, për vetë faktin se ai tashmë nuk është në tavolinën e shahut të lojës politike.
Rama theksoi se i kërkon Nanos opinione për çështje dhe vendime kyçe, ndërsa e cilësoi atë një aset dhe një pikë referimi për të.
“E dini çmimin tim? Unë nuk kam çmim. Nuk janë të gjithë njësoj. Ajo që mund të them është se unë me Fatos Nanon kam një marrëdhënie, që është shumë e bukur sot, sepse nuk ka në mes asnjë interferencë nga loja e shahut politik mes aktorëve. Ai me vullnetin e tij është cuar nga tavolina e shahut dhe ka zgjedhur të tërhiqet me një dorëheqje, pas një fushate elektorale.
Për mua Fatos Nano është një pikë referimi në sensin që ai ka qenë këtu ku jam unë. Duke qenë i zhveshur nga interesat dhe dinamikat e brendshme të imponuara te cdo aktor që është në tavolinën e shahut, ka të gjithë qetësinë për të më dhënë opinionet e duhura kur ja kërkoj. Që do të thotë që jam unë që kërkoj opinionet e tij, jo ai që ofrohet për të më dhënë opinione, nëse unë nuk ja kërkoj.
E vërteta është që diferenca në këtë rast është se ai nuk e ka pasur një paraardhës me eksperiencën e duhur dhe me talentet e duhura për të nxjerrë nga eksperienca përfundime për të ndihmuar pasardhësin. Unë e kam, është një aset dhe është një fat dhe kënaqësi që në këtë detyrë të kesh mundësi të komunikosh me ata, që e kanë pasur këtë detyrë më parë dhe që mund të të ndihmojnë me opinionet e tyre.
Vetëm kush ka qenë këtu e di c’do me thënë vetmia e majës, askush tjetër nuk e di. Ata që s’e kanë jetuar këtë, kujtojnë se në majë bëhet qejf, se aty mbretëroret dhe jepen thjesht urdhra. Në maj je vetëm dhe erërat fryjnë nga të katër anët dhe kur duhet të marrësh vendime kyçe, të gjithë të tjerët rreth e rrotull, që i ke cdo ditë, nuk ekzistojnë. Jo se nuk duan, ata aty janë, por në fund je vetëm ti që duhet të marrësh vendimin”, u shpreh kryeministri Rama.