Më shumë se një javë pas vrasjes së shqiptarit Armando Beqirit në Islandë, policia vendase thotë se është pranë zbardhjes së plotë të ngjarjes. Mediat vendase bëjnë me dije se policia dhe hetuesit kanë sekuestruar disa të dhëna kompjuterike dhe telefona celularë që mund të japin një panoramë të qartë për atë që ka ndodhur të shtunën e kaluar.
Janë më shumë se 20 hetues që po merren me këtë çështje dhe krimi mund të zbardhet shpejt. Lidhur me këtë vrasje në paraburgim janë më shumë se 10 persona, por afati për mbajtjen e tyre në qeli skadon sot. Policia do të kërkojë nga gjykata që të arrestuarit të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve. Të gjithë të dyshuarit janë marrë në pyetje, por ende policia kërkon të dhëna për t’i fajësuar plotësisht ata.
Shefi i policisë në Islandë, Margeir Sveinsson, në një deklaratë është shprehur se janë sekuestruar shumë të dhëna që mund të zbardhin krimit dhe se një prej të arrestuarve mund të jetë ekzekutori. Sipas tij gjatë kontrolleve në banesat e të dyshuarve janë sekuestruar kompjuterë dhe telefona.
Nga ana tjetër lidhur me këtë vrasje në pranga është një shqiptar dhe sipas Frettabladid.is ai është një prej të dyshuarve kryesor. Në banesën e tij janë gjetur gjurmë të armës së zjarrit, por ai është paraqitur vetë në polici dhe ka mohuar përfshirjen në krim.
Në qeli deri tani ndodhen 10 persona nga 7 shtete, Shqipëria, Islanda, Spanja e Lituania. Motivet ende nuk dihen, ndërsa njëri nga të arrestuarit nga Lituania ka lidhje me botën e krimit.
Armando Beqiri u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës (13 shkurt) në hyrje të shtëpisë. Autori i cili po e priste e ka qëlluar me më shumë se 5 plumba, pas shpine, në qafë dhe kokë, duke bërë që 33 vjeçari të ndërronte jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.