Bamir Topi jep dorëheqjen nga FRD

Bamir Topi ka dhënë dorëheqjen nga drejtues i Frymës së Re Demokratike, një ditë pasi FRD ka firmosur pa vullnetin e tij marrëveshjen për koalicionin “Aleanca për Ndryshim” me kreun e PD Lulzim Basha, për të hyrë bashkë në zgjedhjet e 25 prillit.

“Deklaroj dorëheqjen në mënyrë të menjëhershme dhe të parevokueshme si kryetar i FRD-së”, thuhet në letrën e dorëheqjes së Topit.

Burime bëjnë me dije se nënkryetari i FRD Sali Shehu ka firmosur ditën e djeshme marrëveshjen me Bashën në selinë e PD, pa vullnetin e Bamir Topit. Po sipas këtyre burimeve thuhet se Sali Shehu s’kishte mandat nga kryesia për të firmosur dhe ka dalë kundër vullnetit të saj.

Siç u raportua dhe ditën e djeshme firmosja e marrëveshjes nga FRD ishte surprizë në këtë koalicion, e cila rikthehet në PD pas “divorcit” nga Sali Berisha. Dje PD ka finalizuar marrëveshjen me 12 aleatë të saj. Ky është një koalicion që bashkon edhe armiqtë e tjerë historikë si grekët e PBDNJ me çamët e PDIU, ose Republikanët e Fatmir Mediut me Monarkët e Shpëtim Axhamit.

Pjesë e këtij koalicioni, janë PR e Fatmir Mediut, LZHK-ja e Dashamir Shehit, FRD e Bamir Topit, PAA e Agron Dukës, PDK e Nard Ndokës, PBDNJ e Vangjel Dules, PDIU e Shpëtim Idrizit, Balli Kombëtar i Artur Roshit nga opozita parlamentare, PBLD e Arjan Starovës, PBD e Ylber Valterit, PLL e Shpëtim Axhamit dhe PKD e Dhimitër Muslias.

Kurse LSI e Monika Kryemadhit, do të garojë e vetme por do të ketë kandidatë nën logon e PD vetëm në Dibër dhe Kukës.

Loading...