I pyetur nga gazetarët sa të vërteta janë fjalët që Ditmir Bushati nuk është pjesë e listës së PS për shkak të debateve me kryesocialistin, Edi Rama e mohoi diçka të tillë.
Ai pranoi se Bushati ka pikëpamje të ndryshme nga ai për disa çështje, por nga ana tjetër, zbuloi se ai ka shkuar t’i kërkojë mbështetje për një pozicion të ri. Edi Rama mohoi që të ketë armiqësi me ish-ministrin e Jashtëm.
“Për Ditmir Bushatin e thoni ju që të ka kritikuar. Çfarë lidhje ka kjo? Dikush thotë se keni patur konflikt për kufijtë e Kosovës. Unë ju them diçka që i rrëzon të gjitha këto. Kur t’i drejton PS nuk mund të jesh njeriu që e ke mendjen se çfarë tha ky atje apo çfarë dëgjova se kishte thënë atje. Ka trajner që zihet me një lojtar që i duhet në fushë dhe nuk e fut? Dua t’ju them diçka që nuk e dini ju: Ditmir Bushati ka ardhur tek unë dhe më ka thënë dua të bëhem Sekretar i OSBE, dua mbështetjen tënde. Unë i kam thënë “Po, do të kesh mbështetjen time”. Ditmir Bushati ishte një nga kandidatët, i kemi dhënë të gjithë mbështetjen. Ditmir Bushati ka qenë një ministër i mirë, Sandër Lleshaj ka qenë një ministër edhe më i mirë se Bushati në pjesën e tij, por nuk është në listë. Nuk do të thotë gjë që dikush ka qenë një ministër i mirë dhe duhet të jetë në listë patjetër. Sandër Lleshaj nuk është në listë se nuk ka patur as kohën dhe as mundësinë për të bërë detyrën e tij si ministër. Lleshaj si ministër nuk erdhi si njeri nga PS, por si qytetar. Ditmir Bushati ka qenë ministër sepse e ka bërë PS ministër. Bushati është një nga investimet e mia politike, e ndjej njeriun tim. Nuk kam armiqësi. Por shpresoj që ta kapë trenin prap. Partia të vë, por nuk të mban, mban veten. Në tren të hypën partia, të ndihmoj edhe unë, por nëse rri apo zbret e vendos vetë.”