Kryeministri Edi Rama, në një komunikim me gazetarët, foli mbi listat e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste.
Ai tha se në çdo qark, ka një përfaqësi të madhe të grave dhe emrave të rinj, që nuk kanë dhënë kontribute në politikë, por në komunitet. Rama theksoi ndër të tjera, se ka një ofertë për komunitetin çam, duke shtuar se do të ndihen të përfaqësuar në të gjithë qarqet e vendit.
“Partia Socialiste bën një dallim të qartë nga forcat e tjera dhe fillon të thellojë një proces që është një proces historik në shoqërinë tonë, një proces fiziologjik në partinë socialiste, të ngushtimit të vazhdueshëm të hendekut gjinorë. Kemi 10 gra, nga 12 përfaqësues të shoqërisë dhe partisë në vendin e parë në çdo qark dhe 7 prej 12 përfaqësuesve në vendin e parë në PS janë prurje të reja, njerëz që vijnë me kontribute në komunitet, me kontribute shoqërore dhe natyrisht që ndajnë me ne vizionin dhe bindjet mbi shoqërinë. Partia Socialiste ka një skuadër që harmonizon besoj unë mirë, sepse e mira s’ka fund, eksperiencën me energjinë e re të shoqërisë. Një skuadër që bosht të vetin ka Partinë Socialiste, por muskulaturë të vetën ka shoqërinë. Është bërë debat i madh dhe ju keni dhënë mendimet tuaja, për përmbysjen e traditës së hierarkisë në lista, por më vjen pak çudi që nuk e kam dëgjuar, mbase më ka shpëtuar, sepse nuk kam kanale televizive në shtëpi dhe dëgjoj debatet, por marr informacion nga ata që thuhen. Askush nuk ka pasur parasysh që ne kemi hapur listat, më e bukura është ata që trumbetonin listat e hapura janë mbyllur komplet. Ne kemi ndërtuar një skuadër në çdo qark që merr parasysh që listat janë hapur dhe i jep mundësi forcës tonë të maksimalizojë kontributin e përfaqësuesit në listë, nga i pari në Tiranë deri në 36-in, besoj se numërimi i votave do të japë një pasqyrë ndryshe mes nesh dhe formacioneve të tjera. Në skuadrën tonë të gjitha numrat do të kenë vota. Një pjesë e numrave, sepse është e gjitha e studiuar, nuk është KÇK, do të ketë surpriza nga prurja e votave që do të vijë nga lista në atë zonë që konsiderohet jo fituese. Nuk po them që do të jenë shumë nga ata që do të thyejnë listat, por do të jenë shumë nga ata. I kemi ofruar komitetit çam një alternativë të ndershme përballë ofertës që i bën Partia Demokratike, që është një ofertë marramendëse e fundit. Të gjitha ata që i përkasin atij komuniteti kanë më shumë se një zgjedhje, jo vetëm në listën e Tiranës, por edhe në listat e tjera, ku ka një komunitet më shumë se ai çam”, tha Rama.