COVID-19 i ka marrë jetën koordinatorit për fushatën në LSI, Eno Laço. Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka zbuluar mesazhin e fundit që Laço i kishte dërguar, ku u shprehte mbështetjen maksimale për zgjedhjet e 25 prillit. Ajo e përshkruan Enon si një njeri shumë të mirë, që do i mungojë LSI-së.
“Mona si je? Fëmijët si janë? Unë kam ardhur dhe më ke deri në fund të fushatës. Ky ishte mesazhi yt para 30 ditësh, kur më the se ishe kthyer nga Gjermania. Por dje, të gjithë u ndalëm, nuk folëm, shtangëm, sepse ti ike dhe na le përgjithmonë. Nuk duam të të përcjellim, të duam për vete, të duam këtu me ne. Por ti zgjodhe të ikësh sepse parajsa është më e mirë sesa kjo botë këtu e padrejtë.
Eno, ti ike dhe le vetëm Mirën me fëmijët, por të premtoj se ata nuk do të jenë kurrë vetëm, ne do jemi aty për ta gjithmonë. Të duam Eno jonë, do na mungosh me shakatë e tua”, shkruan Kryemadhi.