Kryeministri Edi Rama përmendi lidhjen e tij me Durrësin për shkak të vendlindjes së të atit gjatë prezantimit të kandidatëve për këtë qark ditën e sotme.
Teksa është vendosur dhe në Vlorë dhe në Durrës në listën e kandidatëve, Rama tha se nuk mund të jetë dy vende në parlament dhe në fund do zgjedhë kush do e dojë më shumë, duke e cilësuar një garë mes njerëzve të babës dhe të nënës, e cila e ka origjinën në Jug të vendit.
“Nuk është e tepër të them që dhe unë jam këtu jo thjesht për faktin që Durrësi është një zonë ku potenciali i kthyer në investime, i kthyer në zhvillim do të ndihmojë gjithë Shqipërinë për të shkuar në një nivel tjetër, por edhe për faktin se njëra anë e rrënjëve të mia është këtu në Durrës. Natyrisht unë nuk mund të kem dy vende në parlament. Në fund do duhet të zgjedh njërin dhe do zgjedh vendin kush do më duan më shumë. Është një garë mes njerëzve të nënës dhe njerëzve të babës. Jam kurioz të shoh se kush do më dojë më shumë në këtë garë, në këtë zgjedhje. Por di që jam shumë i vendosur që bashkë me të gjithë miqtë, kolegët, dua të bëj për Durrësin atë që Durrësi pret dhe meriton dhe ta shëroj me fakte edhe një xhelozi që është krijuar për Vlorën. janë dy qytete bregdetare fantastike të Shqipërisë. Janë dy porta të bukura të hyrjes së Mesdheut në Shqipëri dhe dy ende me karakteristika të ndryshme”, tha Rama.