‘Nuk jam engjëll dhe as i rënë nga qielli’/ Rama: Arsyet pse e duam mandatin e tretë!

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në çeljen e fushatës elektorale të zgjedhjeve të 25 prillit, tregoi punët që janë bërë gjatë dy mandateve të para dhe zbuloi objektivat për mandatin e tretë.

Ai tha se tashmë është një realitet TVSH-ja dhe taksa mbi tatim-fitimin 0 për biznesin e vogël. Po ashtu, tregoi se synohet të rritet paga minimale dhe të ndërtohen 3 aeroporte në vend.

“Çdo shqiptar ka të drejtë që është mërzitur sot, nuk ka drejtë të jesh i dëshpëruar, por të pakënaqur kanë të drejtë. Puna jonë është larg i të qenit të mbaruar. Ne vërtetë i kemi rritur pagat për mësuesit, policët, mjekët.
Ne vërtetë kemi rritur pagën minimale, por këto nuk mjaftojnë. Por pyetja është e thjeshtë, çfarë ilaçi ka mërzia, kur je ende duke ngjitur një tatëpjete, të ulesh, të ndalosh, të kthehesh mbrapa? Jo. Të vazhdosh, të shtrëngosh dhëmbët dhe të ecësh përpara. Vetëm ne e kemi fuqinë për t’u ngjitur. Fuqia jonë për t’u ngjitur vjen nga mbështetja jonë.

Pavarësisht pakënaqësisë, mërzisë, edhe pavarësisht të gjitha fjalëve, dokrrave dhe muhabeteve që gëlojnë çdo javë në klubet politike. Janë ata që i japin jetë motorit të ekonomisë që quhet biznesi i vogël, për ta ne jemi këtu dhe për ta është mandati i tretë, sepse qysh sot ata e kanë 0 TVSH dhe taksën për fitimin.

Ndërkohë që tabori i dasmorëve kërcënon me taksën e sheshtë dhe grabitjen e së shkuarës, ne i garantojmë që deri në 2029 me PS taksa do të jetë 0 dhe TVSH 0.

Ne jemi për t’i thënë atyre që e kanë pagën minimale 300 mijë lekë, kjo bën që të mos shohësh me çudi, kur shihni dhe thoni si ka mundësi, çdo bëjmë ne me 300 mijë lekë, kur ju merrni shumë më tepër. Po, kanë ata të drejtë, prandaj jemi këtu dhe duhet mandati i tretë për ta, që paga minimale të shkoj 400 mijë lekë.

Prandaj duhet mandati i tretë, ku në janar të vitit të ardhshëm, ku ata që janë vetëpunësuar, janë punësuar nga të tjerë, qofshin ata në sektorin privat, apo publik, që marrin një rrogë deri në 400 mijë lekë të mos paguajnë më asnjë taksë, për pagën, ata janë 63% e shqiptarëve që punojnë.

E për këta do të heqim taksën për pagën në janar të 22-it. Do e ulim dhe ato, për të stimuluar të tjerë. Si ata që e duan shumë këtë vend, mandati i tretë është mandati për të mbyllur përfundimisht, e thash më parë, pronën si çështje, qoftë në qytet, qoftë dhe në fshat.

E di që ka ende njerëz që s’kanë marrë legalizimin, por ta dinë të gjithë, ata atje, që sapo bënë një ndërtim pa leje në sheshin Nënë Tereza, kishin bërë fare pak legalizime. Ashtu sikundër shqiptarëve të tjerë, ju them me ata, pa mandatin e tretë, vetëm mendojeni për një moment se çfarë ndodh me rikthimin e furisë së ndërtimeve pa leje.

E kanë fiziologjike, e kanë natyrë, është më e fortë se ata, sherri, rrëmuja, rrumpalla, KÇK-ja. Sot ata i thanë të gjitha, i treguan të gjitha dhanë pamjen e asaj që është Shqipëria pa mandatin e tretë.

Mandati i tretë nuk është një mandat për të vazhduar, por është një mandat për të përshpejtuar. Nuk është një mandat për të shtuar kapacitetet.

Mandati i tretë ka në plane 4 aeroporte, sot që flasim, njëri prej tyre është në përfundim brenda pak ditëve. Tjetri, për shkak të vonesave objektive, fillon nga puna së shpejti, tjetri në Sarandë, është dhe ai pjesë e planit të këtij mandati.

Tanimë me eksperiencën e të parit, për të filluar punë për të dytin do e kemi më të lehtë të tretin, sepse është më i vogli. I katërti, i Tiranës do të jetë aeroporti që meritojnë shqiptarët. Sot i sollëm vaksinat me “Air Albania” sepse avioni ushtarak turk nuk ulej në pistën e aeroportit tonë”, tha Rama.

Më tej, kryeministri dha arsyet pse sipas tij i duhet mandati i tretë, duke shprehur bindjen se shqiptarët do ta votojnë PS më 25 prill, në mënyrë që sipas tij, “të vazhdojmë t’ia zbardhim faqen Shqipërisë”.

“Porti turistik i Sarandës ka nisur nga puna, ashtu sikundër Porti i Durrësit ka marrë miratimin për masterplanin dhe për fazën e parë. Porti turistik i Vlorës po ashtu. Mandati i tretë është mandati që do të realizojë objektivin tonë për 10 milionë turistë në Shqipëri.

Ky është objektivi jonë, i ndërprerë nga pandemia. Por me nisjen brenda 48 orësh të vaksinimit masiv garantojmë që Shqipëria të jetë shumë më e lehtësuar se një vit më parë. Kemi garantuar po ashtu që t’i nxjerrim shqiptarët nga pandemia, në të njëjtën kohë me vendet e tjera, edhe pse Shqipëria u la jashtë skemës së shpërndarjes së vaksinave. Kush i gjeti vaksinat, si i gjeti?

Vendi që ka siguruar një sasi vaksinash, që na jep mundësinë të themi se brenda qershorit ne do të kemi vaksinuar gjysmë milioni qytetarë dhe brenda pranverës së ardhshme do të kemi përmbyllur gjithë procesin e vaksinimit.

Jo vetëm kaq, ne do sjellim këtu fabrikën e prodhimit të vaksinës. Kush i bën këto? Dhëndri? Që fton njerëzit në dasmë dhe e presin një orë në të ftohtë. Ata që kur shkon te fjala e tretë ju ngatërrohen rrokjet. Me Dash Shehin, me Dulen, me Idrizin, me Mesilën, Nard Ndokën, me kë? Imagjinoni një palë përballë, ku Nard Ndoka duket i vetmi filozof, pa llogaritur Monikën, Lilon, Saliun.

Mandati i tretë është një mandat për të garantuar përmbylljen e reformës në shëndetësi, me fazën e fundit, autonominë spitalore, për të vazhduar rritjen e buxhetit të shëndetësisë.

Mandati i tretë është për t’i dhënë fund dy turneve në shkollë përfundimisht, për të bërë gjuhën angleze që nga klasa e parë, në cdo klasë, dhe për të cuar përpara procesin e rritjes së cilësisë në arsim.

Mandati i tretë është që eksportet bujqësore, të cilat janë rritur nga kur i gjetëm me 130 mln dollarë, sot në 400 milionë dollarë, të shkojë në të paktën 1 miliard dollarë. Ashtu si eksporti në peshkim, që ishte 1 milion dollarë dhe sot është 1300 milionë. Ne kemi përgjysmuar importin, sepse kemi rritur eksportin dhe se në tregun e brendshëm ka shumë produkte vendase.

Mandati i tretë është kyç për të gjithë ata që punojnë tokën në Shqipëri. Për të krijuar bujqësinë e sipërmarrjes, të vlerës së shtuar dhe që krijon punësim e që jep mundësi për paga të larta.

Mandati i tretë është për të përmbyllur revolucionin digjital të shërbimeve. Sot që flasim realiteti është i transformuar thellësisht, pasi 95% e shërbimeve ofrohen online, merren nga telefoni në xhep, apo nga kompjuteri në shtëpi.

Mandati i tretë është për ta konsoliduar shtetin e shërbimeve digjitale, duke larguar përfundimisht kontaktet. Ka 1001 arsye për mandatin e tretë dhe janë këto ditë që do na shërbejnë për t’i thënë të gjitha.

Meqë ora po afron, që ne të shkojmë të gjithë në shtëpi, unë dua t’iu them të gjithë shqiptarëve se nuk jam i rënë nga qielli, për shumëkënd kam shumë të meta, për shumë të tjera kam shumë të mira, por një gjë është e sigurt, unë jam këtu bashkë me gjithë ju, jo për veten, por për emrin tim, për trashëgiminë më të rëndësishme që një baba ju lë fëmijëve të vetë, kujtimin e tij, dhe natyrisht për të nderuar të gjithë ata që përpara meje, qofshin të një gjaku si familja, qofshin të një gjaku si shqiptarë, qofshin të dy apo disa brezave më parë, kanë bërë të njëjtën gjë, sepse kanë besuar në të njëjtën gjë, dhe sigurisht që në këtë botë, ku shumëkush mendon se janë të gjithë njësoj, në fakt janë ata që mendojnë ndryshe, që bëjnë diferencën.

Unë jam këtu bashkë me skuadrën e PS për ta ndryshuar me se s’bën këtë vend, për të provuar me se s’bën që ky vend bëhet, për të treguar me se s’bën që puna është ajo që vlen dhe ato që sjell puna janë ato që mbeten. Padiskutim që në vetvete as unë dhe askush këtu, apo të gjithë ne bashkë, nuk jemi zgjedhja më e mirë, por në realitetin e jetës së përditshme, më të mirë se ne nuk ka.

Të gjithëve duhet t’iu mjaftojnë ato që kanë parë, ato që kanë jetuar në të shkuarën, që kur t’i shikojnë këta njerëz të së shkuarës, që janë shfaqur tani si një tabor me një dhëndër absurd përpara, t’iu thonë ‘jo’, shans tjetër për ju ‘jo’, shans tjetër për mungesë karakteri në lidership, në sjellje, në vendime, në aksion, të një skuadre që cfarë thotë sot nuk bën nesër ‘jo’, dhe jo sepse ne jemi e keqja më e vogël, po sepse ne jemi e vetmja e mirë.

PS më 25 prill do të fitojë shumicën absolute. PS më 25 prill do të realizojë objektivat e saj. PS më 25 prill do të ketë mandatin e tretë, jo për vete, po për ta bërë Shqipërinë të ardhmen tonë.

Të gjithë ne së bashku do të bëjmë në katër vitet e ardhshme më shumë se c’kemi bërë në të gjitha vitet tjera së bashku, përfshirë dhe vitet tona këtu, sepse ne dimë të ripërtërihemi, të vetëkorrigjohemi, dhe dimë se nuk jemi të rënë nga qielli, nuk jemi engjëj.

Ne jemi shqiptar dhe që kur jemi krijuar, kemi pasur të parën Shqipërinë. S’ka më ‘natën e mirë’, por paçi të bardhë natën e bardhë të këtyre 30 netëve të bardha, për atë ditë kur shqiptarët do të vijnë dhe do na japin mundësinë të vazhdojmë t’ia zbardhim faqen Shqipërisë”, përmbylli fjalën e tij kryeministri.

Loading...