Partia Socialiste ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Fushata e PS ka nisur në sheshin “Skënderbej”, ku siç shihet në shesh janë vënë karrige me distancë, duke zbatuar masat anti-Covid.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama është ndalur te situata e krijuar nga pandemia e koronavirusit, duke mos lënë pa sulmuar edhe fushatën elektorale të PD në Sheshin “Nënë Tereza”, ku ishin mbledhur shumë simpatizantë e mbështetës të forcës më të madhe opozitare. Rama tha se në fushatën e tij shëndeti i njerëzve është mbi gjithçka, edhe mbi partinë, ndërsa sipas tij, te fushata e PD, partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve.
“Ndërsa, atje, partia është edhe mbi shëndetin e njerëzve. Këtu, ka respekt për mjedisin, për hapësirën dhe për ajrin, atje ka ndotje dhe ka zhurmë. Se si mund të mblidhen në këtë kohë.
Faktikisht, po të shohësh vonesën, është shumë domethënëse, sepse ata janë shkaktarët e të gjitha vonesave të këtij vendi. Sepse gjithmonë ka pasur një traditë, në një orë njëri, në një orë tjetri, ndërsa sot nuk u mor vesh, kanë tre ditë që kanë ndryshuar orë. Ata vijnë tek ora jonë, por parpë na vonuan, pak minuta vonesë për ne është shumë, sepse nuk jemi mësuar të vonohemi.
Arsyeja që duhet të marrim mandatin e tretë është që Shqipëria të mos vonohet më. Këtu ka qytetari, shije, sidoqoftë, pavarësisht se jemi në vështirësi, këtu ka një përmasë njerëzore të qenit së bashku dhe të dëshirës për të qenë së bashku mundësisht me të gjithë shqiptarët, por patjetër me shumicën e tyre.
Në këtë kartolinë janë 20 mijë që janë me ne, përmes “Facebook-ut”, shohim disa njerëz të mbledhur me kujdes, me distanca dhe nga krahu tjetër, shikojmë diçka të vështirë për t’u deshifruar, se si mund të ndodhë, kur sot në hartën e Evropës, treçereku i vendeve janë me ngjyrë të kuqe për aktivitetet e tyre.
Isha në Paris, ishte një qytet fantazmë, as dyqane, as grumbullime, të gjithë në shtëpi. Kështu janë të gjithë rreth e rrotull. Ndërkohë që këtu, janë dy botë, dy botë dhe ndërkohë që për ne, patjetër që fushata elektorale është një sfidë, patjetër që përballja që kemi është një sfidë, por sfida e sfidave është fitorja mbi armikun e padukshëm, zmbrapsja përfundimtare e virusit nga jetët tona.
Të tjerat vijnë të gjitha pas kësaj, ne nuk mund të jemi krijues vatrash infektimi, nuk mund të thërrasim njerëzit për t’i vënë në rrezik. Për më tepër të çojmë mesazhin më të gabuar teka ta që na shohin, mesazhin që kush është më lart mund të sillet si të dojë, madje e ka kaq natyrë të dytë këtë sa kur bëhet fjalë për një luftë mes jetës dhe vdekjes nuk e di që mund të mbjellë vdekjen mes atyre rreth e rrotull.”- u shpreh Rama.