Pas 50 orësh del trupi i pajetë i Arjan Salës, Meta: Është heroi ynë

Mëngjesin e sotëm u nxorr trupi i pajetë i Arjan Salës, 32-vjeçarit hero që ndihmoi kolegët e tij në magazinën e Casa Italia, por nuk mundi të shpëtojë vetën. Për këtë tragjedi ka reaguar presidenti Ilir Meta, i cili përmes një postimi në Facebook, ai e ka cilësuar të riun një hero.
“Shumë dhembje, mirënjohje e respekt të thellë për këtë njeri të jashtëzakonshëm, që në kushte shumë të vështira, me ndjenjën e lartë të përmbushjes së detyrës, shpëtoi jetën e shumë qytetarëve duke qenë i ndërgjegjshëm se po humbte jetën e tij. Me sakrificën sublime, Arjan Sala hyri në zemrat tona për t’u përjetësuar si simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane.

Mbi vetëflijimin e Tij uroj të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira, por që mendon për ta dhe i respekton me përulësi çdo ditë Heronjtë e thjeshtë e të heshtur dhe sakrificat e tyre në shërbim të komunitetit. Ngushëllimet më të ndjera familjes! Lutemi që shpirti i Heroit tonë Arjan Sala të prehet në paqen e merituar”. shkruan Meta.

Loading...