Armë mbajtje pa leje dhe sulm gjatë detyrës, dënohet me 6 muaj burg ish-deputetja kosovare

6 muaj burg dhe 400 euro gjobë, këtë vendosi gjykata Themelore në Prishtinë për ish-deputeten e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Shqipe Pantina. Kjo e fundit ka pranuar fajësinë për veprën penale të “Armëmbajtjes pa leje” dhe atë të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Isuf Makolli, e akuzuara Pantina u dënua me 400 euro gjobë për “Armëmbajtje pa leje”, kurse me 6 muaj burgim me kusht për “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, raporton “Betimi për Drejtësi”. Aktgjykimi ndaj saj u shpall pas shqyrtimit fillestar të mbajtur të hënën, ku pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, e akuzuara Pantina u deklarua fajtore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të 11 gushtit 2016, Shqipe Pantina akuzohet se më 27 shkurt 2016, rreth orës 16:30, në sallën e punimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë të paautorizuar, ka poseduar një bombol gazi lotsjellës, të cilën ka tentuar ta ndezë në ulësen ku ishte e ulur afër grupit të vet parlamentar dhe e njëjta i është konfiskuar nga ana e policisë.

Me këtë, Pantina akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga Neni 374, paragrafi 1 i KPRK-së.

Loading...