Kjo e hënë ka shënuar ditën e dytë të vaksinimit masiv të popullatës në vendin tonë.
Thuajse në të gjithë qytetet e vendit, ka nisur të vaksinohen të moshuarit mbi 70 vjeç. Sipas ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastriliu dhe kryeministrit Edi Rama, ky proces do të përfundojë brenda muajit qershor, me synimin që sezoni veror të jetë i qetë dhe me masa më të lehtësuara.
Sakaq, kryeministri Edi Rama, ka publikuar në rrjete sociale një kolazh fotosh nga të moshuarit që tashmë e kanë marrë dozën e parë të vaksinës kineze “Sinovac”.
Kreu i qeverisë shkruan se kënaqësia më e madhe gjatë karrierës së tij politike, është kur sheh lehtësimin e shpirtit të gjysheve dhe gjyshërve të këtij vendi, pas një viti ankthi në tunelin e pandemisë, që sipas kryeministrit tani jemi duke dalë prej saj.
Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:
Asnjë kënaqësi më të madhe s’kam pasur në jetën time politike, se sa kjo e lehtësimit të shpirtit të gjysheve e gjyshërve të këtij vendi, pas një viti ankth në tunelin e pandemisë, prej ku tanimë filluam të dalim
*Tropojë, Dibër, Shkodër, Krujë, Berat, Vlorë, Lushnje, Fier, Sarandë, Ersekë, Tepelenë, Përmet, Malësi e Madhe, Kukës, Elbasan, etj.