Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka hapur turin e takimeve nëpër qytetet e jugut

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka hapur turin e takimeve nëpër qytete, duke u ndalur fillimisht në Sarandë dhe më pas në Delvinë.

Në Sarandë Basha tha se vota për numrin 9, është votë për prosperitetin, ekonominë dhe mirëqenien.

Kreu i opozitës gjithashtu u shpreh se të gjithë e kanë kuptuar, të djathtë e të majtë, që nuk ka ndryshim pa e larguar Edi Ramën.

Kreu i demokratëve nga skaji jugor i vendit ftoi të gjithë socialistët që të bashkohen me të, ndërkohë që tha se qeveria e tij do të jetë e gjithë shqiptarëve.

“Me votën e Sarandës për ndryshim ato do të sjellin 300 ditë prosperitet, ekonomi dhe mirëqenie. Madje dhe këto re e ndoshta dhe disa pika shiu të cilat do të ujisin kopshtet e sarandiotëve, do të ujisin tokat e tyre që agrumet e tyre, frutat dhe perimet të rriten në mënyrë që sezoni i ardhshëm turistik ta gjejë këtë Sarandë ndryshe, plot me shpresë, me mundësi për çdo familje dhe çdo familjarë , për çdo të rinj dhe çdo të re”

“Por mbi të gjitha dua t’ju them se nga Saranda në Tropojë, nga jugu në veri, ndiej entuziazmin tuaj, entuziazmin e nënave për fëmijët e tyre, dëshirën për ndryshim të rinis që kërkon Shqipërinë anëtare të Bashkimit Europian, dëshirën për ndryshim të papunëve që presin dhe meritojnë punë. Të gjithë bashkë jemi mbledhur në bashkimin më të madh të shqiptarëve me një qëllim, ndryshimin dhe ndryshimi do të vij duke votuar Aleancën për ndryshim, numrin 9”.

“Vëllezër e motra, zonja e zotërinj. 8 vite me radhë kanë rënduar mbi Shqipërinë dhe familjet shqiptare. Një dimër 8-vjeçar ekonomikë, një dimër 8 vjeçar i arrogancës së një qeveria dhe kryeministri që mendojnë vetëm për veten. E kanë lënë Sarandën pa asnjë investim për turizmin. E kanë lënë 8 vite me radhë rrugën Kardhiq-Delvinë papërfunduar, e kanë lënë në vend numëro ashtu siç kanë lënë Shqipërinë, siç kanë lënë në vendnumëro familjet Shqiptare. Energjia elektrike dhe ndërprerjet e saj, janë një problem që ditë për ditë e në veçanti gjatë sezonit të shkurtër turistik dëmtojnë ekonominë e sarandiotëve, ekonominë e familjes dhe ekonominë e këtij qyteti.

“E pra tetë vite me radhë nuk ka bërë asgjë dhe tani dështimi po troket prapë në derën tuja dhe kërkon edhe katër vite të tjera, kudo ku shkoj e di dhe e marr përgjigjen, nuk do t’ia hapim derën dështimit, do ti themi jo dështimit me 25 prill do të zgjedhim ndryshimin sepse ndryshimi është rruga e shpresës dhe e zhvillimit, ndryshimi është rruga për të çliruar familjet, nënat dhe baballarët, ndryshim është rruga për të ndalur largimin e të rinjve për t’ju siguruar atyre mundësi, punësim, dinjitet, arsim dhe Shqipërinë Evropiane këtu në vendin e tyre. E prek dhe e ndjej këtë ndryshim kudo. E prek dhe e ndjej edhe tek socialistët. Tek ata që i takoj që vijën në takimet tona, tek ata që vijnë e më takojnë në premisat e Partisë Demokratike, tek ata që i vizitoj dhe kanë hapur dyert e tyre dhe ju them ky është vendi ynë, ne jemi një popull ne jemi një familje, ju keni ndarë me të gjithë shqiptarët të njëjtat vuajtje, ne kemi ndarë të njëjtat sfida, ne kërkojmë të gjithë së bashku të njëjtat zgjidhje ndaj mirë se vini vëllezër e motra socialistë.

Basha tha se ftesa e Ramës, vjen pasi ai po ndjen humbjen. Kryetari i PD-së bëri thirrje socialistëve të bashkohen me të.

“Bashkohuni me ne, bashkohuni me ndryshimin sepse qeveria jonë do të jetë qeveria e çdo shqiptari, sepse ndryshimi do të jetë i prekshëm për çdo shqiptar. Edhe Edi Rama e ndjen etjen e shqiptarëve për ndryshim. Edhe ai e ndjen forcën e papërballueshme të shpresës dërrmuese të shqiptarëve për ndryshim. Edhe ai e ka mësuar se me 25 prill ai do të humbë dhe Shqipëria do të fitojë”.

“Ndaj tani kërkon të bëhet pjesë e qeverisë tonë. Përgjigja jonë është jo, koha jote ka mbaruar, tetë vite me radhë nuk bëre asgjë për shqiptarët. Tetë vite me radhë grabite me ortakët e tu taksat, rrite çmimet, grabite pasuritë e sarandiotëve dhe të gjithë shqiptarëve. Tetë vite me radhë dështime nuk ka më kohë për Edi Ramën, asnjë orë më shumë, me 25 prill e largojmë me votë. Vëllezër dhe motra, të gjithë e kanë kuptuar, edhe socialistët e kanë kuptuar, nuk ka ndryshim pa e larguar Edi Ramën. Nuk ka ndryshim duke pranuar edhe 4 vjet të tjera dështime, si këto 8 që kaluam. Ndaj, le të bëhemi të gjithë bashkë dhe të bëjmë të mundur ndryshimin për çdo shqiptar”, tha Basha.

Kryetari i PD-së ka nisur një tur nga jugu në veri. Ati do të bëjë 9 ndalesa për simbolikën 9 të fletës së votimit nga Saranda në Tropojë. /a.m/NOA.al

Loading...