Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka thënë se ngjarja e rëndë në Kavajë, ku një simpatizant i PD-së është plagosur me armë zjarri brenda selisë blu është një ngjarje e organizuar nga shtabi elektoral i Rilindjes në këtë qytet.
Kreu i Shtetit ka paralajmëruar socialistët apo ‘rilindasit’ siç i quan ai ndryshe, që t’i bëjnë thirrje përkrahësve të tyre që të mos përfshihen në krime zgjedhore, pasi mund të rezultojë fatale për ata që e frymëzojnë atë.
Meta: Është organizuar nga shtabi elektoral i Rilindjes në Kavajë. Nuk është e rastësishme. Ajo që ka ndodhur sot në Kavajë duhet të jetë ngjarja e fundit e dhunshme, kriminale dhe që derdh gjak shqiptari të pafajshëm për qëllime ektorale të Rilindjes dhe me qëllim frikësimin e opozitës. Historia e zgjedhjeve të Shijakut dhe të Dibrës ka mbaruar.
Duhet të reflektojnë para se të jetë vonë për ta, se Shqipëria në 25 prill do ta thotë fjalën e saj me qetësi dhe vendosmëri të pashoqe.
Është moment hisotrik për vendin dhe projektorët e të gjithë botës tani do të vendosen këtu dhe ngjarje të tilla do të rrënonin imazhin e vendit në planin ndërkombëtar, që edhe tani është copë-copë.
Të gjithë duhet t’i bëjnë apel përkrahësve të tyre që të mos përfshihen në krime zgjedhore dhe njëkohësisht jemi në një moment kur çdo përpjeje për të përshkallëzuar dhunën mund të rezultojë në fatale për ata që e frymëzojnë atë.