Ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi festoon këtë të shtunë ditëlindjen dhe mori një urim edhe nga kryeministri Edi Rama. Përmes një postimi në “Facebook”, Rama tregoi mallin për t’i dëgjuar zërin Thaçit dhe për të bërë shaka me të.
“Nuk e di a më lexon dhe nuk di as si je e si shkojnë ditët e tua, në atë izolim krejt absurd ku je i detyruar të qëndrosh për Zoti e di se sa kohë ende! Por unë gjithsesi dua të ta uroj sot ditëlindjen, nga larg dhe me dhimbjen e pamundësisë për të dëgjuar zërin tënd e bërë shakatë me jetën në telefon, po ama besomë, duke u ndjerë pranë teje më shumë se çdo herë më parë. Eh, paska qenë e shkruar që ti dhe historia e Kosovës të jeni një, në vuajtje e në gëzime, një simbiozë e hatashme mes një njeriu që i përkushtohet vendit të vet, si një dashurie pa kushte dhe një vendi që e sprovon atë deri në ekstrem. 20 vite janë shumë fare për njeriun, po për historinë janë sa një ditë dhe përgjatë kësaj dite ti ke provuar lindjen në errësirë, fëmijërinë në agimin e mjegullt, rininë në paraditen e nxehtë përzier me erën e gjakut të shokëve, drekën plot hare e brohoritje fitimtarësh, burrërinë në pasditen e ecjes së gjatë nëpër Kosovë mes plagëve, halleve e shpresave dhe tash ndalesën pa kohë të muzgut – muzg i njëkohshëm me muzgun që në Kosovë i ngjan një agimi të rrejshëm. Dhe ja, simbioza me historinë e tokës tënde, ty të ka caktuar ta dëshmosh me mungesën tënde atë rrenë, teksa me praninë duhet të përballesh me malin e lartë me rrena që fati yt i shenjuar, ka vendosur përkohësisht mes teje dhe Kosovës tënde në këtë muzg të thellë.”
Rama tregoi bisedat e dikurshme me Hashim Thaçi dhe shprehu bindjen se ditë më të mira do të vijnë sërish për të, pas betejës ligjore në Hagë për krime lufte.
“Ti më ke treguar dikur se si numëroje yjet për të mos të të zënë gjumi prej rraskapitjes nëpër shtigjet e luftës, kur ishe një hije në kërkim prej armiqve të tu e të popullit tënd! E tani e marr me mend se yjet duhet t’i kërkosh me zor, nëpër tavanin e ulët që aq shumë i ngjan qiellit të Kosovës së sotme. Por duke ta njohur fortësinë e materialit me të cilin je gatuar, nuk e kam të pamundur të marr me mend durimin e pathyeshëm, me të cilin ti arrin ta mbash mbi vete atë tavan poshtërues, pa e përkulur trupin e imagjinatës tënde. Nuk e di sa do të zgjasë nata që ke përpara miku im i shtrenjtë, por ajo çka di njësoj si drita e diellit mbi Tiranë sot, është se agimi do të vijë përsëri, për ty e për Kosovën. E di vëlla e di, që vitet deri në agim janë minuta për historinë, po jo për jetën e njeriut të kyçur me pahirin e cinizmit njerëzor brenda katër mureve dhe mundohem ta marr me mend, se sa e rëndë është për ty pamundësia për të ecur edhe me këmbë, e jo veç me mendje nëpër rrugët e pyjet e Kosovës. Por s’ke kurrgjë çka bën, ti u rrite e u bëre burrë e babë, po askurrë s’e pate dot në dorë të jesh tjetësend përveçse kukulla e fatit tënd të bërë njësh me Kosovën.”