Presidenti francez, Emmanuel Macron i është bashkuar liderëve ndërkombëtar që kanë uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të tretë, në zgjedhjet e 25 prillit. Po ashtu kryeministria njofton se Rama ka marrë një urim edhe nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez.
Më herët gjatë ditës së sotme Ministrja e Jashtme e Suedisë, Ann Linde, e cila do drejtojë OSBE-në për 1 vit ka uruar kryeministrin Edi Rama për fitoren e mandatit të tretë.
Kryeministri Edi Rama po ashtu zhvilloi dje, një bisedë telefonike me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyp Erdogan dhe Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, të cilët e uruan për fitoren në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Po ashtu, Kryeministri Rama ka marrë urime për fitoren edhe nga ministri i Punëve të Jashtme të Italisë, Luigi Di Maio dhe lideri i opozitës italiane, Matteo Salvini. Gjithashtu Kryeministri ka marrë urime për fitoren edhe nga Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, i cili e dha në gjuhën shqipe urimin.