Presidenti i vendit Ilir Meta u pyet nga gazetarët sesi u ndje që LSI mori vetëm 4 mandate në zgjedhjet e 25 Prillit, dhe humbi në Skrapar që është dhe vendindja e tij. Meta tha se vetë ai as ka bërë thirrje që të votohet në këto zgjedhje një subjekt i caktuar, dhe mbase në të ardhmen do të shohin të gjithë sesa vota merr ai në emër nominal.
“Ilir Meta nuk ka marrë pjesë në këto zgjedhje, nuk ka bërë thirrje për të votuar asnjë subjekt dhe asnjë kandidat. Në të ardhmen do të keni mundësi që të shihni ndoshta sesa vota mund të marrë Ilir Meta”, tha presidenti gjatë deklaratës së tij.
Gjatë konferencës me gazetarët, Meta kërkoi që fokusi i tyre të jenë zgjedhjet, dhe të rishihet çdo votë e pavlefshme, e cila mund të jetë bërë qëllimisht për të deformuar qëndrimin e qytetarëve.
”Mos u ç’orientoni nga zgjedhjet, rezultati vazhdon dhe i ka të gjitha mundësitë të jetë vetëm paraprak, për arsye se procesi i numërimit nuk ka përfunduar ende, por procesi i kontestimeve nuk ka nisur akoma. Prandaj në radhë të parë falenderoj qytetarët e Shqipërisë, që iu përgjigjën thirrjes së presidentit, për të marrë pjesë masiv në këto zgjedhje.
Ju e dini mohimin e paprecedentë që iu bë emigrantëve për të votuar, mohimin e të gjithë qytetarëve të prekur nga Covid, por po kështu dhe arsye të tjera. Pra në këto votime kanë marrë pjesë 1.6 milionë njerëz, 74% e popullsisë që ka qenë rezidente dhe ka të drejtë vote.
Në këto zgjedhje kemi një numër të paprecedentë të fletëve të votimit të pavlefshme, kushdo ka të drejtë që të dyshojë, duhet të mos prekey më asnjë kuti votimi, asnjë fletë, është shumë e lehtë për të parë dhe për të bërë ekspertizën, nëse kryqet në fletë janë bërë nga një dorë apo nga dy duar”, deklaroi presidenti më herët.