Duke filluar nga dita e nesërme do të nisë shpërndarja e shpërblimit të festave të fundvitit për pensionistët

Duke filluar nga dita e nesërme do të nisë shpërndarja e shpërblimit të festave të fundvitit për pensionistët në masën 5 mijë lekë, miratuar nga qeveria tre ditë më parë. Pagesa do të bëhet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në bashkëpunim me Postën Shqiptare. Në një njoftim, Instituti i Sigurimeve Shoqërore sqaron se për të për të realizuar në kohë dhe me korrektësi dhënien e këtij shpërblimi deri në daën 29 dhjetor do të punohet me orar të zgjatur nga ora 7:30 e mëngjesit deri në orën 20:00 të mbrëmjes. “Çdo ditë deri në orën 14;00 do të realizohet pagimi i pensionit dhe shpërblimi për ata pensionistë që kanë datën e tërheqjes së pensionit dhe pas kësaj ore do të paguhet shpërblimi për pensionistët që e kanë tërhequr pensionin para kësaj date sipas grafikut të mëposhtëm“, thuhet një njoftimin e ISSH.

Ndërkohë pensionistët që e tërheqin pensionin pranë bankave të nivelit të dytë, në datën e pagesës së pensionit 20.12.2018, do ju transferohet edhe masa e shpërblimit. Për pensionistët qe e tërheqin pensionin në zyrat postare në fshatra, shpërblimi do të paguhet sipas datave të pagesës së pensioneve, duke filluar nga data 18 dhjetor e në vazhdim. ISSH thotë se ata që nuk do të mund ta tërheqin këtë shpërblim deri më 29 dhjetor do të mund ta marrin atë bashkë me tërheqjen e pensionit në Janar e në vazhdim pasi faturat janë të gjeneruara.

Loading...