10 persona janë proceduar nga policia kufitare në aeroportin e Rinasit, në tentativë për të kaluar kufirin me test të falsifikuar të COVID-19. Qytetarët do i përdornin testet për të udhëtuar në shtete të tjera, ku është i detyrueshëm tamponi negativ jo më i vjetër se 72 orë. Të gjithë personat e proceduar janë nga qyteti i Shkodrës. Ata akuzohen për falsifikim të formularëve, vulave ose i stampave.
Konstatimi i tyre u bë pas informacioneve të marra në rrugë operative se persona të ndryshëm po përdorin teste të falsifikuara të COVID-19. Nisur nga kjo situatë policia kufitare ka bërë një kontroll dhe verifikim më të hollësishëm të dokumentacionit dhe të testeve.
Për të vërtetuar nëse kemi të bëjmë me testet e falsifikuara, shërbimet e policisë bashkëpunuan dhe me klinikat mjekësore që lëshojnë këto teste. Pas procedimit të tyre nga ana e policisë kufitare të Rinasit, dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po punohet për identifikimin dhe arrestimin e personave që kanë kryer falsifikimin e këtyre dokumenteve.